**Pse Vinicius nuk shkëlqen me Brazilin si te Real Madridi? Një debat në rritje**

Debati rreth arsyes se pse Vinicius Junior nuk arrin të shfaqë të njëjtin nivel performancë me kombëtaren e Brazilit, siç bën rregullisht me Real Madridin, vijon të jetë në qendër të vëmendjes në botën e futbollit. Pavarësisht talentit të padiskutueshëm dhe suksesit në klub, sulmuesi përballet me pikëpyetje sa herë që vesh fanellën “Seleçao”.

Gjatë një konference për shtyp, trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, adresoi një prej çështjeve më të diskutuara. “Njerëzit ndonjëherë thonë se Brazili nuk ka një yll të madh aktualisht. Ndoshta kjo është e vërtetë. Nuk kemi një Pele, një Romario apo një Ronaldo, por mund të kemi një ndjenjë kolektive përgjegjësie dhe kjo mund të jetë shumë e fuqishme,” deklaroi Ancelotti në prag të miqësores kundër Panamasë në fund të majit. Megjithatë, shumë prisnin që Vinicius Junior të ishte tashmë kthyer në liderin absolut të kombëtares.

Katër vite pas eliminimit dramatik nga Kroacia në çerekfinalen e Botërorit 2022, sulmuesi i Real Madridit vazhdon të përballet me kritika. Pas humbjes 2-1 ndaj Francës në muajin mars, në mediat braziliane u shtrua pyetja nëse Vinicius meritonte ende një vend në formacionin titullar. As ardhja e Ancelottit, trajnerit me të cilin braziliani ka kaluar vitet më të suksesshme të karrierës së tij te Real Madridi, nuk ka arritur t’i japë fund këtij diskutimi. Pyetja mbetet e njëjtë: pse Vinicius nuk arrin të shfaqë me Brazilin të njëjtin nivel që tregon me klubin spanjoll?

Statistikat tregojnë se ai është futbollisti brazilian me më shumë kontribute në gola gjatë ciklit aktual kualifikues për Botërorin, me shtatë gola dhe gjashtë asistime në 28 ndeshje. Megjithatë, këto shifra konsiderohen modeste krahasuar me ndikimin thelbësor që ai ka pasur te Real Madridi.

Ish-ndihmëstrajneri i Brazilit, Cleber Xavier, beson se diferenca qëndron te struktura e ekipit. “Është e vështirë të luash në të njëjtin nivel si te klubi. Në kombëtare nuk ke të njëjtin ritëm stërvitjesh, të njëjtët shokë skuadre dhe as kohën e nevojshme për të krijuar automatizma. Shembulli më i mirë është Lionel Messi me Argjentinën. Edhe ai u kritikua për vite të tëra derisa Argjentina krijoi një ekip të konsoliduar dhe fitoi Botërorin në vitin 2022,” shpjegoi Xavier.

Vetë Vinicius nuk i është shmangur kurrë kritikave. “Te klubi luajmë çdo tre ditë dhe gjithmonë kemi një mundësi të re për t’u përgjigjur. Në kombëtare kalon shumë kohë mes ndeshjeve dhe presioni është gjithmonë i madh. Nëse në Botëror shënoj katër ose pesë gola dhe bëhemi kampionë, atëherë e gjithë historia ndryshon,” deklaroi ai.

Një tjetër aspekt që ndikon në perceptimin e tifozëve është krahasimi i vazhdueshëm me Neymarin. Edhe pse sulmuesi i Santosit është larg formës së tij optimale dhe është përballur me shumë dëmtime vitet e fundit, ai vazhdon të ruajë një lidhje të veçantë emocionale me publikun brazilian. Eksperti i marketingut sportiv, Eduardo Musa, thekson se Neymar ndërtoi një trashëgimi të fortë që në vitet e tij te Santos. “Neymar është golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares dhe tifozët brazilianë e kanë parë të luajë çdo javë në kampionatin vendas para se të largohej në Europë. Vinicius u transferua shumë herët dhe nuk pati kohë të krijonte të njëjtën lidhje me publikun,” shpjegon ai.

Pavarësisht kësaj, Federata Braziliane e Futbollit (CBF) ka kohë që përpiqet t’i japë Viniciusit një rol më të rëndësishëm. Në muajin mars, pas dëmtimit të Rodrygos, atij iu besua fanella me numrin 10 dhe u shfaq në qendër të vëmendjes mediatike si fytyra e re e kombëtares. Megjithatë, rikthimi i papritur i Neymarit bëri që fanella legjendare t’i rikthehej veteranit 34-vjeçar.

Tani, teksa Brazili synon titullin e gjashtë botëror në vitin 2026, shumë sy do të jenë të drejtuar nga Vinicius Junior. Sulmuesi i Real Madridit është i vetëdijshëm për pritshmëritë dhe nuk i shmanget përgjegjësisë. “Sot jam ai për të cilin flitet shumë. Kam pesë apo gjashtë sezone shumë të mira te Real Madridi dhe prej vitesh jam ndër lojtarët më të mirë në botë. Kjo sjell më shumë përgjegjësi dhe unë e dua atë përgjegjësi, sepse e di që mund të jap akoma më shumë,” përfundoi Vinicius.