Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës pati kritika për shmangien e afateve procedurale për buxhetin e vitit 2026, raporton Ekonomia Online.
Ai thotë se është bërë praktikë për tenderët njëburimor.
“Te pjesa tjetër, unë këtë përshtypje e kam pasur edhe më herët, dhe e kam ngritur zërin në të kaluarën: Pse është bërë praktikë tenderi njëburimor në qeveri? Unë po e shoh parlamentin po edhe këtë praktikë, ka shmangie nga rendi i ditës, procedura të shpejtuara. Çfarë zori ose kush po ka zor me bërë praktikë tenderin njëburimor në qeveri, që është i papranueshëm, dhe njëkohësisht në parlament shmangie nga rendi i ditës, procedura të shpejtuara, mungesë e debatit dhe diskutimit për çështje që ministri po thotë se ka krisë lufta në Ukrainë”, u shpreh ai.
“O ministër, edhe ne e dimë që ka krisë ajo luftë, dhe ti e ke ditur që atëherë që ka krisë ajo luftë. Pse s’i ke bërë gati me procedura të rregullta që me ardhë sot e ne me ta votu? Nuk mundesh me thënë që krisi lufta para mbrëmë e tash sot po kërkoj shmangie të procedurës. Mos na thuaj kështu se nuk është serioze, i nderuar ministër. Të gjithë e dimë kur i ka filluar ajo luftë, edhe lufta tjetër çka ka ndodhë në botë. Ju këto tema që po i sillni këtu, veç me qenë pak më seriozë me qenë, i kishit prurë këtu edhe ja kishim votuar, ashtu siç i keni votuar edhe marrëveshjet ndërkombëtare me dy të tretat e votave”, tha Haradinaj.

