**Haxhiu thërret deputetët në seancën kushtetuese të Kuvendit më 6 gusht**
Albulena Haxhiu, ushtruese e detyrës së Presidentes dhe ish-kryetare e Kuvendit, ka ftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën kushtetuese. Ajo do të mbahet të enjten, më 6 gusht, në orën 10:00, në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës.
Në ftesën e dërguar, Haxhiu u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve të legjislaturës së re të marrin pjesë, duke bërë të ditur se rendi i ditës është bashkëngjitur dokumentit zyrtar.
Kjo seancë pritet të shënojë nisjen zyrtare të punës së legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës. Në rend dite janë parashikuar pikat si:
* Betimi i deputetëve;
* Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit;
* Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Datën e seancës Haxhiu e kishte caktuar më herët, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së Presidentes, bazuar në kompetencat e saj kushtetuese.
Vendimi për thirrjen e seancës është marrë në mbështetje të neneve 66, paragrafi 3, 84 (pika 3) dhe 90 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe nenit 6 të Ligjit Nr. 03/L-094 për Presidentin. Po ashtu, janë marrë parasysh rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit 2026, të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 8 korrik 2026.
