**Arrestohet në Rinas një 32-vjeçar, i kërkuar nga Kosova për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve**
Policia Kufitare në Rinas ka arrestuar një 32-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Kosovës. Ndaj tij ishte lëshuar një urdhërarrest nga Gjykata Themelore e Prishtinës për vepra penale lidhur me narkotikët. Ai pritet të ekstradohet në Kosovë.
Gjatë ndalimit, shtetasi, i identifikuar si A. SH., banues në Kukës, u përpoq të paraqitej me një identitet tjetër për të shmangur arrestimin. Forcat e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe bazuar në informacione operative, e lokalizuan dhe e kapën atë në aeroportin e Rinasit.
Urdhërarresti ndaj tij ishte lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”.
Arrestimi i tij vjen në kuadër të operacionit të koduar “Wanted”, i cili synon kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Tani, Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet kosovare, do të ndjekë procedurat ligjore për ekstradimin e 32-vjeçarit në Kosovë.
