Podujevë: I mituri plagos aksidentalisht vëllain 10-vjeçar me armë zjarri, gjendja e tij shëndetësore jashtë rrezikut për jetë

**Podujevë** – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Podujevë, ku një i mitur ka plagosur aksidentalisht vëllain e tij 10-vjeçar. Incidenti ka ndodhur ndërsa i mituri po manipulonte me një armë zjarri të tipit AK-47.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur kur gjatë manipulimit me armën, është shkrepur një fishek, i cili ka goditur fëmijën 10-vjeçar. Menjëherë pas plagosjes, viktima është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku po merr trajtim mjekësor. Fatmirësisht, gjendja e tij shëndetësore raportohet të jetë jashtë rrezikut për jetë.

Policia ka bërë të ditur se rasti është iniciuar si “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Gjatë kontrollit të shtëpisë së familjes, si dëshmi materiale, është gjetur dhe konfiskuar arma e tipit AK-47, bashkë me një karikator që përmbante 20 fishekë.

Në lidhje me rastin është kontaktuar prokurori kujdestar i Departamentit për të Mitur, i cili ka urdhëruar që rasti të trajtohet sipas procedurave të lartpërmendura, ndërsa i dyshuari (i mituri) të lirohet në procedurë të rregullt.