Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Aida Dërguti, ka komentuar ngjarjet e djeshme në Skenderaj.
Ajo ka theksuar se kjo nuk është hera e parë që qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) vë në shënjestër dhe provokon qëllimisht individë të caktuar, me synimin për të nxitur reagimin e tyre.
Në një postim në profilin e saj në Facebook, Dërguti shkruan se pushteti aktual po e provokon qëllimisht Sami Lushtakun.
“Mungesa e Ligjit për Vlerat e Luftës, për fat të keq, detyron njerëzit të marrin drejtësinë në duart e veta. Ngjarjet tronditëse, si ato të djeshmet në Skenderaj, nuk duhet të përsëriten. Por, ajo qëndron se ka një praktikë të keqe gjatë periudhës zgjedhore dhe nuk është hera e parë që persona të caktuar caktohen si objektiv, vihen në qendër të vëmendjes, ngacmohen dhe provokohen, me synimin për të nxitur reagimin e tyre, ndonëse ata nuk janë fare të përfshirë në garën politike. Një prej tyre është Sami Lushtaku. Kjo ‘lojë’ e ulët bëhet vetëm për përfitime elektorale. Sami Lushtakun mund ta kritikosh për gjithçka tjetër, pasi është i angazhuar politikisht dhe mban një post publik”, citohet ajo, duke kërkuar që legjislatura e ardhshme të miratojë Ligjin për Vlerat e Luftës.
“Angazhimi politik dhe publik në ditët e sotme nuk e përjashton askënd nga kritika dhe nga të qenit i kritikueshëm. Megjithatë, ekziston një pikë ku individi nuk duhet të preket: aty ku i kontestohet vetë identiteti politik. Në kulmin e polarizimit politik me Serbinë, Samiu u përball me armikun në vijat e frontit. Gjatë luftës, Sami Lushtaku ka qenë në krye të detyrës kombëtare, duke i shërbyer vendit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe gjithmonë do t’i përgjigjej thirrjes me të gjitha kapacitetet e tij, në rast nevoje. Prandaj, për të shmangur situata të ngjashme, është një domosdoshmëri kombëtare që Ligji për Vlerat e Luftës të miratohet menjëherë pas konstituimit të Kuvendit të ardhshëm të Kosovës”, përfundoi Dërguti.
