Aktori dhe komediani Pete Davidson dhe partnerja e tij, Elsie Hewitt, i kanë dhënë fund marrëdhënies së tyre, vetëm pesë muaj pas ardhjes në jetë të vajzës së tyre, Scottie.

Lajmi është bërë publik nga ‘Page Six’, e cila citon burime pranë ish-çiftit. Sipas këtyre burimeve, ndarja është përfundimtare dhe nuk pritet asnjë ribashkim në të ardhmen.

Burimet tregojnë se marrëdhënia kishte kohë që përballej me vështirësi dhe problemet mes tyre ishin thelluar gradualisht. “Ata janë ndarë përfundimisht. Ka pasur probleme gjatë gjithë lidhjes dhe gjërat nuk kanë qenë mirë prej kohësh”, ka deklaruar një burim për ‘Page Six’.

Pete Davidson dhe Elsie Hewitt u përpoqën të shpëtonin lidhjen dhe të gjenin një zgjidhje për të përmirësuar raportin mes tyre. Megjithatë, ata arritën në përfundimin se ndarja ishte zgjedhja më e mirë për të dyja palët.

Pavarësisht fundit të romancës, të dy mbeten të angazhuar ndaj vajzës së tyre. Burimet pranë tyre kanë theksuar se Davidson dhe Hewitt janë të vendosur të bashkëpunojnë për rritjen e Scottie-t dhe të jenë prindër aktivë në jetën e saj.

Një burim tjetër, për revistën ‘People’, zbuloi se problemet në marrëdhënie kishin nisur që gjatë shtatzënisë së Elsie-t. Sipas tij, lidhja mes tyre ishte zhvilluar shumë shpejt dhe çifti nuk kishte pasur kohë të njihte mirë njëri-tjetrin përpara se të krijonin familje.