**Ukaj: Kosova, gjithnjë e më e vogël dhe e zbehtë në arenën botërore**
Kosova cilësohet si vendi më i varfër në Evropë, jo thjesht nga raportet ndërkombëtare, por nga realiteti i prekshëm i vendit. Çdo vëzhgues i kujdesshëm e konstaton këtë, duke nisur nga varfëria skajore e gjuhës publike, deri te pamja e shkretë dhe gjithnjë e më e zbehtë e shtetit.
Ky shtet i vogël, dikur, jo shumë kohë më parë, zinte një vend të rëndësishëm në botë. Kjo sepse udhëhiqej nga mendje që sfidonin kufijtë gjuhësorë dhe kultivonin ide e ideale sublime për lirinë, demokracinë dhe paqen. Ishin njerëz të vërtetë, që besonin te e mira dhe angazhoheshin çdo ditë me frymë solidariteti për të kontribuar në zhvillimin e vendit.
Megjithatë, vitet e fundit Kosova është zvogëluar dhe duket gjithnjë e më e zbehtë e e izoluar në hartën botërore. Kjo, sipas Ndue Ukajt, vjen si pasojë e ideve të vogla, të cekëta dhe izoluese të atyre që e udhëheqin.
Në kryeqytet, megjithëse nuk ka një mur fizik si ai i Berlinit, janë ngritur mure urrejtjeje dhe përçarjeje që kanë rrënjosur një mentalitet të luftës së të gjithëve kundër të gjithëve. Kjo gjendje e mjerë i kujton autorit shpesh Ernest Koliqin, një prej figurave më të shquara shqiptare, i cili ka kontribuar më shumë për arsimin se çdo ministër në historinë tonë. Koliqi theksonte se “pesë shekuj dominimi i errët dhe përçarës kishin mbjellë në shpirtin e kombit shqiptar farën e tradhtisë, e cila gërryente dhe shkatërronte ndjenjën e origjinës së përbashkët, pra vëllazërimin.”
Ndërsa varfëria thellohet dhe muret e përçarjes rriten, duke izoluar vendin, qeveria, sipas Ukajt, flet për mrekulli ekonomike. Një udhëheqës, që i ka kthyer armiqësitë dhe përçarjet në aleanca kryesore për mbijetesën politike, prezantohet si sharlatan.
Tragjizmi i vërtetë, shton autori, nuk është vetë varfëria, por fakti që vendi më i varfër i Evropës udhëhiqet nga një personazh që flet me paturpësi për zhvillim ekonomik, citon filozofë e shkolla ekonomike në forumet ndërkombëtare, duke u përpjekur të mbulojë diellin me shoshë. Kjo është një taktikë e vjetër e pushteteve të këqija, që përdorin propagandën shtetërore me zjarr për mbijetesë. Historikisht, këto lloj pushtetesh, kur bien, lënë pas një shkretim të madh dhe probleme të panumërta për brezat e ardhshëm.
Për fat të keq, gjuha e varfër politike ka triumfuar në çdo fushë të jetës publike, duke dëmtuar një shoqëri me probleme të mëdha dhe të trashëguara, e cila ende vuan pasojat e tragjedive historike.
Një gjuhë politike kaq e mjerë, me kufizime të tmerrshme, do të shkatërronte çdo vend të zhvilluar, e jo më një shoqëri të varfër si e jona. Kjo shoqëri, pas një periudhe ripërtëritjeje dhe vrulli pas çlirimit dhe pavarësisë, sot ndodhet në një paralizë pothuajse totale.
Pra, varfëria mendore lulëzon mes nesh dhe kjo përbën problemin thelbësor të vendit. Pa u vetëdijesuar për këtë, zhvillimi mbetet i pamundur. Dhe dritën e zhvillimit nuk mund ta ndezin ata që besojnë në errësirë dhe ide të tilla.
Varfëria mendore është aq e rëndë sa i kujton autorit kohët e fillimit të shekullit të kaluar, kur Faik Konica dhe figura të tjera shkruanin për mjerimin e shqiptarëve dhe nevojën për edukim kulturor, liri, shtetndërtim dhe zhvillim.
Kështu, në Kosovë sundon ashpër pushteti i padijes dhe i gënjeshtrave. Temat më serioze për shoqërinë, shtetin dhe politikën janë lënë në duart e individëve që mezi mund të ofrojnë një përkufizim fillestar për këto fusha thelbësore.
