Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar dhe nderuar jetën e veprën e ish-deputetit dhe veprimtarit Agim Kikaj, në nëntëvjetorin e vdekjes së tij. Abdixhiku theksoi se figura e Kikajt, si patriot, politikan dhe mbi të gjitha njeri, ishte unike.
“Sot, përkujtojmë dhe nderojmë Agim Kikajn, jeta dhe vepra e të cilit ishte plot sfida dhe sakrifica në rrugën e vështirë drejt lirisë dhe pavarësisë. Ai u angazhua herët në veprimtari atdhetare e politike, dhe në kohëra të rënda për vendin, iu bashkua radhës së veprimtarëve të mëdhenj të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Figura e tij patriotike, politike dhe mbi të gjitha njerëzore, ishte unike,” citohet të ketë thënë Abdixhiku në një deklaratë të LDK-së.
“Gjatë jetës së tij, ai shërbeu si kryetar i Komunës së Podujevës dhe deputet për disa mandate, derisa vdekja e papritur e ndau nga ne të gjithë, pas mesnate, më 18 maj 2017.”
Abdixhiku shtoi se “ndarja nga jeta e Agim Kikajt ishte një humbje e madhe për Kosovën dhe për proceset demokratike të vendit. Kosova humbi një njeri të mirë, një figurë të jashtëzakonshme që i shërbeu ndërtimit të institucioneve tona demokratike dhe që kishte për synim fuqizimin e tyre.”
“Ai gjithmonë do të kujtohet për çiltërsinë, modestinë dhe afërsinë me njerëzit që e rrethonin; të gjithë e kujtojmë me nostalgji për batutat dhe humorin e tij. Lavdi jetës dhe veprës së Agim Kikajt!”
