Presidenti amerikan Donald Trump ka shkaktuar reagime gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, pasi deklaroi se ishte “i bekuar gjenetikisht”, duke iu referuar aftësive të tij për të kuptuar shkencën dhe teknologjinë.
Gjatë fjalës së tij, Trump përmendi lidhjen familjare me Institutin prestigjioz të Teknologjisë në Masaçusets (MIT), duke theksuar se xhaxhai i tij, John George Trump, kishte qenë profesor dhe shkencëtar në k këtë institucion për dekada.
“Kam njohuri të thella për MIT-in, sepse një anëtar i familjes sime shpenzoi jetën atje. Ai konsiderohet si një nga profesorët më të shquar në historinë e MIT-it. Kështu që kam një kuptim shumë të mirë dhe mendoj se ndoshta jam i bekuar gjenetikisht,” deklaroi presidenti amerikan.
Sipas The Independent, në çastin kur Trump bëri këtë deklaratë, kamerat u fokusuan te Vance dhe Rubio, të cilët u panë duke buzëqeshur dhe duke shkëmbyer shikime. Reagimi i dy zyrtarëve të lartë amerikanë tërhoqi vëmendjen në rrjetet sociale, ku pamjet e tyre nisën të shpërndahen me shpejtësi.
Deklarata e Trumpit erdhi ndërsa ai po fliste për rrezikun e armëve bërthamore dhe takimin e zhvilluar me presidentin rus Vladimir Putin dhe atë kinez Xi Jinping. Ai theksoi se tre fuqitë e mëdha kishin diskutuar përgjegjësinë për uljen e kërcënimit që paraqesin armët bërthamore për botën.
Trump iu referua edhe një herë xhaxhait të tij, John Trump, i cili ka qenë një figurë kyçe akademike në MIT. Presidenti amerikan e ka përmendur edhe në raste të tjera karrierën shkencore të xhaxhait të tij, duke e lidhur atë me interesin dhe aftësitë e veta për të kuptuar çështjet teknologjike dhe shkencore.
