Mosmarrëveshje e fortë: Julián Álvarez dëshiron vetëm Barcelonën, Atlético Madrid refuzon transferimin
Sulmuesi argjentinas Julián Álvarez ndodhet në qendër të një mosmarrëveshjeje të thellë me klubin e tij, Atlético Madrid. Ndërsa ai shpreh dëshirën e parevokueshme për t’u transferuar te Barcelona, klubi madrilen refuzon kategorikisht ta lejojë atë të bashkohet me rivalin katalanas, duke preferuar një transferim të mundshëm te Arsenali.
Tensionet mes Atlético Madrid dhe sulmuesit janë përshkallëzuar ndjeshëm, veçanërisht pas incidentit të së dielës në stadiumin “Civitas Metropolitano”. Një pjesë e madhe e tifozëve të Atléticos e fishkëllyen Álvarez-in gjatë gjithë ndeshjes kundër Villarrealit. Pas përfundimit të takimit, lojtari u largua i vetëm në drejtim të tunelit të dhomave të zhveshjes, me rekomandimin e klubit, duke theksuar situatën e ndërlikuar.
Pozicioni i Atlético Madrid mbetet i prerë: nuk ka ndërmend ta lejojë Julián Álvarez të transferohet te Barcelona. Nga ana tjetër, “La Araña”, siç njihet sulmuesi, ka bërë të qartë se dëshiron të veshë vetëm fanellën blaugrana. Klubi madrilen është i gatshëm të negociojë largimin e tij, por vetëm nëse destinacioni është Arsenali.
Presidenti Enrique Cerezo, CEO Miguel Ángel Gil Marín dhe trajneri Diego Simeone kanë vendosur kushtet e klubit dhe nuk duken të gatshëm të lëshojnë pe. Megjithatë, as qëndrimi i Álvarez nuk ka ndryshuar. Sulmuesi argjentinas vazhdon të japë sinjale publike për dëshirën e tij për të luajtur te Barcelona. Së fundmi, ai pëlqeu një video në TikTok, ku shfaqej i edituar me fanellën e klubit katalanas, duke festuar në stilin e tij karakteristik të ‘Spider-Man’. Një veprim i vogël, por që në këtë kontekst interpretohet si një tjetër sinjal i qartë për të ardhmen e tij.
Situata dyshohet se lidhet edhe me një premtim që Atlético Madrid i kishte bërë lojtarit në shkurt. Në atë kohë, Álvarez ishte informuar se në fund të sezonit do t’i jepej mundësia të largohej dhe të zgjidhte vetë destinacionin, me kusht që klubi blerës të paraqiste një ofertë në përputhje me vlerën e tij. Megjithatë, tani Atlético Madrid refuzon kategorikisht një transferim te Barcelona, duke u përpjekur ta drejtojë sulmuesin drejt Arsenalit dhe duke mos dashur të forcojë një rival të drejtpërdrejtë në La Liga.
Qëndrimi i fortë i Atlético Madrid sjell edhe rreziqe për vetë klubin. Nëse transferimi nuk realizohet brenda afatit të merkatos, madrilenët mund të humbasin mundësinë për të arkëtuar një shumë të konsiderueshme nga shitja e argjentinasit. Për më tepër, ekziston rreziku që Álvarez të qëndrojë në Madrid pa motivimin e duhur dhe të mos shfaqë nivelin e pritshëm në fushë, një situatë e pakëndshme për të dyja palët.
Ndërkohë, Barcelona po e ndjek me shumë kujdes situatën. Klubi katalanas e ka Julián Álvarez një prej objektivave kryesorë, dhe sulmuesi është gjithashtu ndër lojtarët e preferuar të trajnerit Hansi Flick dhe drejtorit sportiv Deco. Barcelona është e gatshme të presë deri në fund të afatit kalimtar për të parë nëse mund të gjejë një mënyrë për të konkretizuar transferimin. Sipas raportimeve, Barça madje mund të zgjedhë të mos afrojë një tjetër sulmues qendror (numër 9) nëse nuk gjen një alternativë dukshëm më të mirë se zgjidhjet aktuale në skuadër.
Kështu, fati i Julián Álvarez mbetet një nga historitë më të nxehta të kësaj merkatoje. Atlético Madrid nuk dëshiron ta shohë me fanellën e Barcelonës, ndërsa vetë sulmuesi duket se e ka bërë zgjedhjen e tij: Barça ose askund.
