Juventusi nis bisedimet me Manchester Cityn për yllin e mesfushës

Juventusi ka nisur bisedimet paraprake me Manchester Cityn për një transferim të mundshëm të mesfushorit Tijjani Reijnders. Bardhezinjtë po shqyrtojnë alternativa pas ngecjes së negociatave me Franck Kessién.

Sipas “Tuttomercatoweb”, duke cituar “La Stampa”, Juventusi ka zhvilluar kontakte të para si me përfaqësuesit e Reijnders, për të vlerësuar gatishmërinë e tij për t’iu bashkuar projektit të klubit, ashtu edhe me Manchester Cityn, për të parë nëse klubi anglez do të ishte i gatshëm ta lejonte largimin e tij në formë huazimi.

Për momentin nuk ka negociata zyrtare, por dialogu mes palëve pritet të vazhdojë në ditët në vijim.

Interesimi për Reijnders lidhet me dëshirën e Juventusit për të rifreskuar mesfushën, një sektor që trajneri Massimiliano Allegri dëshiron ta përforcojë.

Lojtari i kombëtares holandeze iu bashkua Manchester Cityt vetëm një vit më parë për rreth 55 milionë euro. Megjithatë, thuhet se ai ka humbur terren në hierarkinë e skuadrës së Pep Guardiolës, pavarësisht një fillimi premtues në futbollin anglez.

Kandidatura e tij ka marrë më shumë peshë edhe për shkak se marrëveshja me Franck Kessién ende nuk është finalizuar. Ish-mesfushori i Milanit, aktualisht lojtar i lirë, ditët e fundit ka qenë pranë një marrëveshjeje me Juventusin. Megjithatë, ai nuk është i gatshëm të presë pafundësisht dhe ka bërë të qartë se dëshiron ta zgjidhë sa më shpejt të ardhmen e tij.

Situata komplikohet edhe nga tejmbushja në mesfushën e Juventusit, ku aktualisht janë tetë futbollistë. Për këtë arsye, klubi duhet të largojë të paktën një ose më shumë lojtarë përpara se të afrojë përforcime të reja.

Përveç Reijnders, Juventusi po vëzhgon edhe Leon Goretzkën dhe Davide Frattesin si alternativa, por për momentin holandezi konsiderohet objektivi më interesant në listën e bardhezinjve.