KFOR-i zhvillon stërvitje intensive ushtarake në Pejë
Personel ushtarak nga vende të ndryshme, pjesë e Komandës Rajonale-Perëndim (RC-W) të KFOR-it, ka marrë pjesë në një stërvitje të thelluar në Pejë, e cila përfshiu një sërë detyrash sfiduese.
KFOR-i bën të ditur se ushtarët u trajnuan në orientim në terren, teknika ngjitjeje me litar, procedura të mbrojtjes CBRN (Kimike, Biologjike, Radiologjike, Bërthamore), ushtrime qitjeje dhe traversë tiroleze.
Këto stërvitje u zhvilluan në kampin “Villaggio Italia” në Pejë.
Në një njoftim, KFOR-i theksoi se “stërvitja bashkoi personel të kombësive të ndryshme, duke nxitur shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira, si dhe rriti ndërveprimin midis njësive pjesëmarrëse”.
Më tej, shtohet se “përmes këtyre aktiviteteve, personeli i KFOR-it mban një nivel të lartë ndërgjegjësimi situacional, duke demonstruar angazhimin e qëndrueshëm të KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës.”
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë banorët e Kosovës.
