**Radhë të Gjata në Morinë, Autoritetet Apelojnë për Përdorimin e Pikave Alternative Kufitare**
Edhe këtë fundjavë, Pika Kufitare e Morinës, në dalje nga Kosova drejt Shqipërisë, është përballur me radhë të gjata automjetesh dhe pritje të konsiderueshme. Kjo situatë vjen pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve, të cilat po zbatojnë kontrolle të reduktuara dhe po punojnë me kapacitet të plotë për të përshpejtuar qarkullimin.
Përmes një njoftimi, autoritetet kanë bërë të ditur se fluksi i madh i automjeteve është shkaku i pritjeve të gjata, duke u bërë thirrje qytetarëve që, nëse kanë mundësi, të përdorin pika të tjera kufitare si alternativë.
Njëkohësisht, drejtuesve të automjeteve u kërkohet të respektojnë rregullat e komunikacionit rrugor, të tregojnë kujdes të shtuar gjatë vozitjes dhe të kontribuojnë në një qarkullim sa më të rregullt.
Për informacion shtesë mbi gjendjen në pikat kufitare, qytetarët mund të kontaktojnë Qendrën Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) në numrat *045 198 000*, *045 198 606*, si dhe në numrin pa pagesë *0800 50095*.
Autoritetet falënderojnë qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke u uruar rrugë të mbarë dhe pushime të këndshme.
