KOMF: Fëmijët të mos përfshihen në fushatat zgjedhore
Koalicioni i Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka reaguar ndaj përfshirjes së fëmijëve në aktivitetet e fushatës zgjedhore nga ana e subjekteve politike.
Në reagimin e tij, KOMF thekson se raportet nga terreni gjatë ditëve të fundit dëshmojnë që fëmijët po përfshihen dhe po shfrytëzohen nga subjektet politike për promovimin e aktiviteteve dhe mesazheve të tyre politike.
Përballë kësaj situate, KOMF u bën thirrje të gjitha subjekteve politike që të respektojnë të drejtat e fëmijëve dhe të shmangin çdo formë të përfshirjes së tyre në aktivitetet e fushatës zgjedhore. Sipas KOMF-it, shfrytëzimi i fëmijëve për qëllime politike përbën shkelje të të drejtave të tyre, cenon mirëqenien e tyre dhe nuk është në interesin më të mirë të fëmijës.
Gjithashtu, KOMF i kërkon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të monitorojë aktivitetet e subjekteve politike dhe, në rastet kur konstatohet përfshirja ose shfrytëzimi i fëmijëve në fushatën zgjedhore, të ndërmarrë veprimet dhe masat përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Njëkohësisht, KOMF u bën thirrje prindërve që të mos i ekspozojnë fëmijët ndaj aktiviteteve politike dhe të mos i përfshijnë ata në asnjë formë në fushatat elektorale, përfshirë pjesëmarrjen në tubime, aktivitete promovuese apo ngjarje të organizuara nga partitë politike.
Paralelisht, KOMF fton mediat që mbulojnë procesin zgjedhor të luajnë një rol aktiv në monitorimin e respektimit të të drejtave të fëmijëve gjatë fushatës dhe të raportojnë rastet e përfshirjes së tyre për qëllime politike, duke garantuar në çdo rast mbrojtjen e identitetit, privatësisë dhe dinjitetit të fëmijës.
