Ylli i Barcelonës dhe i Spanjës, Lamine Yamali, ka zbuluar mentalitetin e veçantë që e ndihmon të shkëlqejë në skenat më të mëdha të futbollit botëror pa u ndikuar nga presioni i pritshmërive.
18-vjeçari, i cili është kthyer në një nga talentët më të mëdha të futbollit modern, thotë se mungesa e nervozizmit vjen nga fakti se ai po bën atë që ka bërë gjithë jetën e tij.
Pavarësisht moshës së re dhe peshës së madhe të përgjegjësisë që ka te klubi dhe kombëtarja, Yamali shfaqet i qetë dhe i pandikuar nga presioni i ndeshjeve të mëdha. Ai dha një shpjegim edhe me humor, duke e krahasuar futbollin me një punë “normale”.
“Do të isha nervoz nëse do të bëja diçka që nuk e di si bëhet. Nëse do të kisha një punë të zakonshme, për shembull – nuk kam pasur kurrë një të tillë – ndoshta do të shqetësohesha mos e bëj gabim. Por futbolli është ajo që kam bërë gjithmonë; është ajo që di. Prandaj përpiqem ta shijoj. Kur shoh prindërit në tribuna, duke e ditur se janë krenarë për mua, më largohet presioni. Është një ndjenjë e mirë,” tha Yamal për FIFA.
Ai gjithashtu pranoi se është kthyer në figurë kyçe të një gjenerate të re te Barcelona dhe se kur është në formë maksimale ndihet pothuajse i pandalshëm.
Përpara Kupës së Botës me Spanjën, ai përshkroi edhe ndryshimin fizik dhe mendor që përjeton kur është në formën më të mirë.
“Gjithmonë them se është si të jesh një superhero – gjithçka bie në vend. Jam më i shpejtë, më i fortë, plot adrenalinë. Ndjej sikur asgjë nuk mund të më ndalojë. Do të doja të arrija atë nivel në Kupën e Botës,” tha ai.
Sipas tij, performanca e tij varet shumë nga gjendja emocionale dhe kënaqësia në lojë, sidomos kur luan në krah.
“Loja ime varet shumë nga kreativiteti, dhe kur nuk po e shijoj, bie niveli im. Gjithçka bëhet më e zbehtë, më pak frymëzuese. Por kur jam i lumtur, si në Euro, gjithçka funksionon dhe ndihem më i lirë,” shpjegoi Yamali./GazetaExpress/
