Komuna e Prishtinës ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës marrjen e masave urgjente për përshpejtimin e trajtimit të lëndëve pronësore gjatë sezonës verore, duke theksuar se aktualisht qytetarët po përballen me vonesa të konsiderueshme në procedura.
Sipas komunës, një pjesë e madhe e lëndëve po vonohet për shkak të ngarkesës së sistemit dhe mënyrës së radhitjes së aplikimeve.
“Aktualisht, një numër i madh i lëndëve po përballen me vonesa për shkak të ngarkesës së sistemit. Një nga arsyet kryesore është se lëndët që kthehen për plotësim te noterët rikthehen sërish në radhën e pritjes sipas datës fillestare të aplikimit, duke krijuar bllokime dhe duke ngadalësuar trajtimin e lëndëve të tjera”, thuhet në njoftim.
Për të adresuar këtë problem, Drejtoria e Kadastrit, Gjeodezisë dhe Legalizimit në Kryeqytet ka propozuar ndryshime të përkohshme në mënyrën e menaxhimit të lëndëve gjatë verës.
“Për këtë arsye, Drejtoria e Kadastrit, Gjeodezisë dhe Legalizimit në Kryeqytet, ka kërkuar që për periudhën 1 qershor – 1 shtator të lirohet përkohësisht radhitja automatike e lëndëve, në mënyrë që të përpunohen më shpejt rastet në procedurë dhe të zvogëlohen afatet e pritjes për qytetarët”, theksohet më tej.
Komuna ka vënë në pah se kjo kërkesë është veçanërisht e rëndësishme për bashkatdhetarët që qëndrojnë përkohësisht në Kosovë gjatë muajve të verës.
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme për bashkatdhetarët tanë, të cilët gjatë muajve të verës qëndrojnë për një kohë të shkurtër në Kosovë dhe kanë nevojë t’i përfundojnë procedurat pronësore brenda afateve të arsyeshme”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, është kërkuar edhe përmirësim teknik i sistemit për të shmangur vonesat dhe për të rritur efikasitetin e punës.
“Po ashtu, kemi kërkuar edhe përmirësime teknike në sistem, që zyrtarët të njoftohen menjëherë kur plotësohen komentet nga noterët dhe të shmanget trajtimi i së njëjtës lëndë nga më shumë se një zyrtar në të njëjtën kohë”, thuhet në fund të njoftimit, duke shtuar se kryeqyteti mbetet i përkushtuar për shërbime më efikase për qytetarët.
