Kongresisti amerikan Joe Wilson i ka bërë thirrje Serbisë të ndërpresë kërcënimet ndaj Kosovës dhe të distancohet nga Rusia, Kina e Irani.

Wilson thekson se Serbia duhet t’i japë fund varësisë nga energjia ruse, të distancohet qartë nga Moska, Pekini dhe Teherani, si dhe të veprojë plotësisht në përputhje me institucionet perëndimore.

Në një intervistë për Shërbimin Ballkanik të Radios Evropa e Lirë, Wilson rikonfirmoi mbështetjen e tij për pavarësinë e Kosovës dhe kritikoi ashpër Serbinë për kërcënimet e vazhdueshme.

Ai argumentoi se Beogradi duhet t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe NATO-s, por kjo do të kërkonte një shkëputje të prerë nga pushtetet autoritare.

Wilson ka sponsorizuar një rezolutë në Kongresin amerikan që propozon zhvendosjen e Sesionit Vjetor të vitit 2027 të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Çarlston të Karolinës së Jugut, në vend të Beogradit.

Duke theksuar se synimi kryesor është mbajtja e këtij takimi në Shtetet e Bashkuara, ai përmendi marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë, Kinën dhe Iranin, si dhe qasjen e saj ndaj Kosovës, si disa nga shqetësimet e tij kryesore lidhur me Beogradin si nikoqir.

Asambleja Parlamentare e OSBE-së, megjithatë, ka deklaruar se delegacioni amerikan e kishte njoftuar më herët se Çarlstoni nuk mund ta organizonte sesionin, dhe pas kësaj Beogradi u përzgjodh në bazë të procedurave të përcaktuara.

Wilson nga ana tjetër tha se shqetësimet logjistike rreth ushqimit, stafit dhe përkthimit janë zgjidhur ndërkohë, dhe sugjeroi që Beogradi mund ta organizojë këtë takim në vitin 2028.