Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka raportuar se përgatitjet logjistike dhe administrative për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës po zhvillohen sipas planit të paraparë.

Besnik Buzhala, drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, theksoi se raporti detajon ecurinë e këtyre përgatitjeve për ditën e votimit. Ai njoftoi se janë transportuar pajisjet e teknologjisë informative, duke përfshirë kamerat e vendvotimeve, kompjuterët, monitorët dhe pajisjet e tjera mbështetëse.

Buzhala shtoi se të gjitha format dhe formularët zgjedhorë janë pranuar dhe kontrolluar, ndërsa shpërndarja e tyre në komuna pritet të përfundojë sot. Materialet e ndjeshme zgjedhore, si fletëvotimet, listat përfundimtare të votuesve dhe vulat, do të shpërndahen në komunat e Kosovës më 6 qershor, nën shoqërimin e Policisë së Kosovës.

Raporti thekson gjithashtu përfundimin e trajnimeve për këshillat e vendvotimeve dhe stafin e angazhuar për publikimin e rezultateve preliminare. “Deri tani, 30 Qendra Komunale të Numërimit janë bërë funksionale, ndërsa tetë të tjera pritet të përfundojnë gjatë ditës së sotme. Trajnimi i ekipeve të numërimit ka vazhduar paralelisht,” shtoi ai.

Lidhur me votimin jashtë Kosovës, Buzhala bëri të ditur se materialet zgjedhore për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike janë pranuar në gjendje të rregullt dhe janë ruajtur sipas procedurave. Gjithashtu, janë zhvilluar trajnimet për stafin e angazhuar në këto qendra votimi. Ai theksoi se deri më 4 qershor janë tërhequr gjithsej 39,405 zarfe me fletëvotime nga kutitë postare të KQZ-së në Gjermani dhe Zvicër.