Reagon vajza e Sinan Vllasaliut pas aksidentit: Po rikuperohet dhe është në duar të sigurta

Edona Vllasaliu Kurteshi, vajza e këngëtarit të njohur Sinan Vllasaliu, ka reaguar pas aksidentit me motor të babait të saj, i cili përfundoi në spital dhe iu desh një ndërhyrje kirurgjikale.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo ka falënderuar stafin mjekësor të Qendrës së Urgjencës në Gjilan, asaj në Prishtinë dhe Spitalit Royal në Prishtinë, për kujdesin dhe profesionalizmin e treguar ndaj babait të saj pas aksidentit.

Edona bëri të ditur se Sinan Vllasaliu iu nënshtrua një operacioni, ndërsa tani ndodhet në gjendje të stabilizuar dhe po vazhdon rikuperimin.

“Me zemër plot mirënjohje, dua të shpreh falënderimin tim më të sinqertë për gjithë stafin mjekësor që u kujdes me profesionalizëm, përkushtim dhe humanizëm për babain tim pas një aksidenti të rëndë që përfundoi me operacion”, ka shkruar ajo.

Ajo zbuloi gjithashtu se këngëtari ishte i ftuar të performonte në dasmën e yllit botëror Dua Lipa, por aksidenti ia pamundësoi pjesëmarrjen.

“Babai im, i cili me shumë dashuri për muzikën ishte i ftuar të këndonte edhe në dasmën e Dua Lipës, fatkeqësisht nuk mundi të ishte i pranishëm për shkak të këtij aksidenti. Megjithatë, sot mbi të gjitha jemi mirënjohës që ai është në duar të sigurta dhe po rikuperohet”, ka shkruar Edona.

Në fund, ajo shprehu mirënjohje për të gjithë mjekët, infermierët dhe stafin shëndetësor që u kujdesën për babain e saj në këto momente të vështira.