**Rrjedhje uji në Pallatin e Drejtësisë pas shpërthimit të një tubi; zëdhënësja Gashi: Situata është normalizuar**
Një incident ka shkaktuar rrjedhje uji në ambientet e Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë, konkretisht në pjesën ku ndodhet Gjykata Themelore, pasi ka shpërthyer një tub uji. Lajmin e bën të ditur Ekonomia Online.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka sqaruar për Ekonomia Online se ngjarja erdhi si pasojë e një defekti teknik në sistemin e ujësjellësit.
Gashi ka theksuar se: “Në objektin e Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë, ku ndodhet Gjykata Themelore, ndodhi një defekt teknik në sistemin e ujësjellësit, si pasojë e shpërthimit të një tubi uji. Defekti u riparua menjëherë nga ekipi teknik përgjegjës, ndërsa rrjedhja e ujit u ndalua shpejt dhe situata në objekt është normalizuar plotësisht.”
Ajo shtoi se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për parandalimin dhe shmangien e pasojave të mundshme lidhur me këtë rast.
