**Udhëzuesi i Javës: Ngjarjet dhe Aktivitetet që nuk duhet t’i humbisni!**
Kemi hyrë në muajin shtator, dhe megjithëse temperaturat janë ende të larta, mendërisht jemi orientuar drejt vjeshtës. Por, ngjarjet nuk kanë të ndalur: festivale argëtuese, ekspozita të kuruara me kujdes dhe libra frymëzues vazhdojnë të pasurojnë jetën kulturore.
Prishtina e mirëpret shtatorin me një sërë ngjarjesh që ia vlen të shënohen në kalendar: Prishtina Queer Festival rikthehet me tri ditë ekspozita, shfaqje “drag wrestling”, muzikë, filma dhe punëtori; Sustainable Design Week lidh dizajnin me arkitekturën, modën dhe ekologjinë; ndërsa JazzCatz hap sezonin e tretë me Cemre Yılmaz dhe disa prej muzikantëve më të mirë vendorë.
Përveç këtyre, nuk mungojnë as ekspozitat! Besfort Syla prezanton ekspozitën dhe librin intim “From An Uncomfortable Distance, I Remain”, ndërsa Remzije Lloga vjen me “Longing/Belonging”. GRAN Fest e shndërron Prishtinën në një “sketchbook” artistik me pjesëmarrjen e artistëve nga Evropa. Ndërkohë, Galeria Lumi rikthehet me portretet e Rexhep Rakovicës, duke sjellë qytetin e vitit 1928, ndërsa në Pejë, Dardan Luta ekspozon “çarjet” e qytetit të tij. Për ata që pëlqejnë aktivitetet fizike, ofrohet edhe Yoga me Fllanzën.
Dhe nëse gjithë ky program ju duket shumë kontemplativ, fundjava do të mbyllet ashtu siç duhet: me një festë të shfrenuar, ku do të performojnë John Dimas, Anita B2B Debora Gjergji, në ‘Zone Electronic’.
