**Kurthi i Kurtit për Republikën: Pse fitorja në zgjedhje nuk të bën pronar të shtetit**
*Shkruan: Adri Nurellari*
Gabimi më i madh që mund të bëhet sot në Kosovë është nënvlerësimi i krizës aktuale, duke e trajtuar atë si një sagë të zakonshme parlamentare. Për një publik të lodhur nga tranzicioni dhe zhgënjimet e njëpasnjëshme, ky ngërç mund të duket si një tjetër përplasje egosh mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive opozitare. Megjithatë, përballja e sotme nuk është thjesht mes pushtetit dhe opozitës, por mes rregullave të lojës demokratike dhe etjes për pushtet që kërkon ta shndërrojë mandatin elektoral në monopol politik. Kjo është një çështje shumë më serioze, një prej mekanizmave më të rrezikshëm përmes të cilëve demokracitë bashkëkohore nisin të gërryhen, të zbrazen nga përmbajtja dhe të çmontohen nga brenda. Studimet tregojnë se demokracitë moderne nuk vdesin brenda natës me mjete ushtarake në bulevard, me shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme apo me arrestimin e bujshëm të opozitarëve në mesnatë. Ato sot zakonisht vdesin nën dritën e diellit, në mënyrë krejtësisht të ligjshme, duke iu referuar rregulloreve, dhe të shoqëruara nga duartrokitjet entuziaste të një turme të bindur se fitorja e saj morale qëndron mbi çdo ligj të shkruar.
Juan Linz, një prej studiuesve më të njohur të sistemeve demokratike, e kishte vërejtur dekada më parë se fati i një republike nuk garantohet kurrë vetëm nga përsosmëria e tekstit kushtetues apo nga rregullsia teknike e kutive të votimit. Demokracia mbahet gjallë nga gatishmëria e aktorëve politikë për t’i pranuar rregullat e lojës edhe kur ato nuk u shkojnë për shtat, për të njohur legjitimitetin e kundërshtarit dhe për ta pranuar humbjen apo kufizimin e pushtetit pa e vënë në pikëpyetje gjithë sistemin. Levitsky dhe Ziblatt e zhvilluan më tej këtë ide, duke theksuar rëndësinë e normave të pashkruara që mbajnë gjallë demokracinë, sikurse është vetëpërmbajtja institucionale, e cila nënkupton të mos shfrytëzosh çdo mundësi që të ofron pushteti, vetëm sepse teknikisht je në gjendje ta bësh.
Në librin “Si Vdesin Demokracitë”, ata paralajmërojnë se në botën bashkëkohore, gardianët e dikurshëm të demokracisë shpesh shndërrohen në varrmihësit e saj. Ndryshimi mes autoritarizmit të vjetër ushtarak dhe atij bashkëkohor nuk qëndron te qëllimi, por te mjetet. Autokrati i sotëm nuk ka nevojë ta sulmojë parlamentin me ushtri; atij i mjafton të hyjë në të me shumicë votash. Ai nuk ka nevojë ta shfuqizojë Kushtetutën me dekret, por i mjafton ta keqinterpretojë apo ta zgjasë zbatimin sipas nevojave taktike të momentit. Ai nuk ka nevojë t’i mbyllë me dry gjykatat, por i mjafton t’ua ulë vlerën morale, duke i trajtuar vendimet e tyre si pengesa të padrejta ndaj “vullnetit të shenjtë të popullit”.
Historia është e mbushur me udhëheqës që kanë ardhur në pushtet me votë dhe më pas kanë dobësuar, hap pas hapi, institucionet liberal-demokratike që ua mundësuan atë fitore. Viktor Orban në Hungari nuk erdhi në pushtet me tanke, por përmes zgjedhjeve. Hugo Chavez në Venezuelë dhe Alberto Fujimori në Peru fituan presidencën me votën e qytetarëve dhe më pas përqendruan gjithnjë e më shumë pushtet në duart e tyre dhe shtypën opozitën.
Në kulturën tonë politike ekziston një tundim i vjetër dhe i rrezikshëm për të kërkuar shpëtimtarin. Nga kryefamiljari, drejtuesi i krahinës, te udhëheqësi i partisë, deri tek “babai i kombit” dhe “udhëheqësi historik”, politika shqiptare ka vuajtur shpesh nga dëshira për ta zëvendësuar institucionin me njeriun. Por Republika moderne është ndërtuar pikërisht për ta mposhtur këtë instinkt. Askush nuk është aq i mirë sa t’i besohet pushtet pa kufi dhe askush nuk është aq i keq sa t’i mohohet e drejta për të qenë opozitë.
Thelbi i bllokimit që po shfaqet sot në Kosovë lidhet drejtpërdrejt me filozofinë politike që udhëheq Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Kurti nuk duket se e percepton mandatin elektoral vetëm si një autorizim të përkohshëm për të qeverisur brenda rregullave të lojës. Gjithnjë e më shumë, ai paraqitet si bartës i një misioni historik dhe i një epërsie morale ndaj pjesës tjetër të sistemit politik.
Retorika e tij prej vitesh ushqehet nga një ndarje e rrezikshme në “të bardhë dhe të zinj”. Nga njëra anë qëndrojmë “Ne”: ndryshimi, pastërtia, populli, e mira. Nga ana tjetër qëndrojnë “Ata”: regjimi i vjetër, hajdutët, sabotatorët dhe penguesit e së ardhmes. Studiuesit tregojnë se kjo është skema klasike e populizmit. Tipari përcaktues i populistit nuk është thjesht kritika ndaj elitës ekzistuese, por pretendimi moral për monopolin e përfaqësimit ekskluziv. Populisti i bindur nuk pranon dot se kundërshtarët e tij kanë thjesht një vizion tjetër politik për taksat, shëndetësinë apo diplomacinë; ai beson thellësisht se ata janë thelbësisht të paligjshëm si entitete politike, sepse vetëm ai dhe partia e tij flasin në emër të popullit autentik.
Në çastin kur kjo logjikë zë vend në zyrën e kryeministrit, e gjithë arkitektura kushtetuese nis të shihet si një pengesë e bezdisshme. Kundërshtari politik nuk është më një bashkëqytetar me të cilin duhet të gjesh një kompromis të vështirë, por një tradhtar që duhet mposhtur. Ose siç shprehej me krenari Kurti për opozitën gjatë fushatës vitin e kaluar: “jena tu i sos, tu i zgrobit, tu i raskapit, tu i dërrmu, tu i thërmu, se kem ndër mend me i shpartallu”. Me këtë mentalitet përjashtues dhe denoncues, kompromisi parlamentar shpallet dobësi morale dhe Gjykata Kushtetuese pushon së qeni arbitri kryesor i shtetit, duke u damkosur nga pushteti si një vatër e mbetjeve të së kaluarës sa herë që vendimet e saj nuk përputhen me interesin e partisë në pushtet.
Dhe pikërisht në përplasjen mes vullnetit të shumicës dhe kufijve institucionalë ndahet demokracia kushtetuese nga tirania e shumicës. Është jashtëzakonisht e lehtë të shpallesh kampion i demokracisë kur rrethanat politike të janë favorizuese. Është e rehatshme të predikosh shtetin e së drejtës kur ke një shumicë dërrmuese në parlament, kur Kuvendi miraton me duartrokitje të zjarrta çdo nismë tënden dhe kur institucionet e pavarura marrin vendime që mbështesin agjendën dhe egon e qeverisë. Në ato kushte komode, çdo sundimtar mund të duket si një burrështetas i ndritur.
Mirëpo, prova e vërtetë e demokratit, e vetmja provë lakmusi që ndan udhëheqësin republikan nga autokrati i maskuar, fillon pikërisht në momentin kur sistemi institucional, ligji dhe rregullat e pashkruara të thonë një “Jo” të prerë dhe të hidhur. Në Aktgjykimin KO124/25 të Gjykatës Kushtetuese, të 26 qershorit 2025, Gjykata përcaktoi shprehimisht se deputetët duhet “sa më shpejt dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë, të përfundojnë Seancën Konstituive të Kuvendit, duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij.” Këtu shikohet nëse i bindesh këtij vendimi sepse e do Republikën më shumë se karrigen tënde, apo fillon të sulmosh apo injorosh institucionin që guxoi të të vendosë kufij?
Kjo është arsyeja pse zvarritja e konstituimit të Kuvendit dhe mospërfillja e frymës kushtetuese në Kosovë nuk janë çështje të vogla procedurale. Nëse Gjykata Kushtetuese vendos një afat dhe përcakton një rrugë, përgjigjja e një qeverie demokratike nuk mund të jetë tentativa për ta mbajtur sistemin të bllokuar derisa të gjendet një zgjidhje artificiale që i siguron mbijetesën partisë më të madhe. Nëse rregullat e lojës respektohen vetëm atëherë kur na japin të drejtë ne, atëherë kemi braktisur shtetin ligjor dhe kemi hyrë në territorin e arbitraritetit të pastër.
Llogaria politike që ngrihet mbi këtë ngërç është cinike. Sa më gjatë të mbetet vendi në amulli, aq më gjatë vazhdon qeverisja në detyrë pa një Kuvend plotësisht funksional dhe aq më shumë partia në pushtet ruan mundësinë të ndikojë mbi momentin politikisht më të favorshëm për zgjedhje të reja. Mundësisht atëherë kur opozita të jetë plotësisht e dërrmuar dhe qytetarët të jenë të rraskapitur nga kriza e fabrikuar. Këtë gjë e pamë vitin e kaluar ku me vetëdije u zvarrit procesi dhe u shkel në mënyrë të përsëritur Kushtetuta, në mënyrë që zgjedhjet të organizoheshin në fund të vitit, periudhën më të përshtatshme për Vetëvendosjen. Faktikisht kemi një forcë politike që në mënyrë të përsëritur po përpiqet ta detyrojë kalendarin institucional të Republikës të ecë me sahatin e selisë së saj.
Kosova është një shtet i ri, me struktura të brishta institucionale, i ngritur mbi sakrificat e panumërta të brezave, mbi gjakun e luftës çlirimtare dhe mbi mbështetjen thelbësore të aleatëve tanë perëndimorë. Në një Ballkan gjithnjë e më të paqëndrueshëm dhe përballë një fqinji verior me pretendime të hapura revanshiste, e vetmja kartë morale, diplomatike dhe strategjike e Kosovës në botën perëndimore ka qenë pikërisht narrativa e saj si një demokraci pluraliste, e gjallë dhe e përkushtuar ndaj shtetit të së drejtës. Në momentin kur Kosova fillon të imitojë modelet autokratike të rajonit; ku Gjykata Kushtetuese mospërfillet, ku parlamenti mbahet i paralizuar për kalkulime të ngushta elektorale dhe ku lideri sillet si pronar i të vërtetës; ne nuk po dëmtojmë thjesht rendin tonë të brendshëm. Ne po minojmë me duart tona një nga shtyllat kryesore të kredibilitetit dhe mbështetjes ndërkombëtare të Kosovës.
Kjo temë nuk ka të bëjë me simpatitë apo antipatitë personale ndaj Albin Kurtit apo rivalëve të tij. Politikanët janë qiramarrës të përkohshëm të zyrave publike; ata vijnë, qeverisin dhe një ditë largohen në harresë. Por rregullat, normat dhe precedentët që lënë pas janë muret e shtëpisë sonë të përbashkët. Kjo pra është një betejë shumë më themelore për karakterin e shtetit që Kosova dëshiron të jetë. Një republikë ku shumica qeveris brenda kufijve të Kushtetutës, apo një sistem ku Kushtetuta vlen vetëm për aq kohë sa nuk pengon shumicën? Kushdo që sot duartroket anashkalimin e procedurave dhe dobësimin e institucioneve vetëm sepse në pushtet është politikani që admiron, duhet të kuptojë një parim themelor të demokracisë; që institucionet nuk ndërtohen mbi besimin se udhëheqësi është i përsosur, por mbi nevojën që pushteti i çdo udhëheqësi të ketë kufij. Sado popullor, i ndershëm apo qëllimmirë të konsiderohet një lider, ai nuk mund të qëndrojë mbi rregullat dhe institucionet që kufizojnë pushtetin e tij. Prandaj, Kosova ka nevojë jetike të shkëputet nga kulti i individit dhe të përqafojë atë që sot konsiderohet si patriotizëm kushtetues, i cili kërkon besnikërinë ndaj Republikës, Kushtetutës dhe institucioneve, përpara besnikërisë ndaj një partie apo një udhëheqësi. Republika e Kosovës është pafundësisht më e madhe se çdo parti politike, më e shenjtë se çdo kryeministër dhe më jetëgjatë se çdo mandat qeverisës.
Në fund të fundit, Republika e Kosovës nuk është një institucion abstrakt që ra nga qielli në vitin 2008. Pas çdo neni të Kushtetutës qëndron një varr dëshmori, një familje e dëbuar, një shtëpi e djegur, një shkollë e mbajtur në bodrum, një emigrant që kursente nga rroga e punës në ndërtim për trepërqindëshin apo fondin “Vendlindja Thërret”, një mjek vullnetar pa rrogë i viteve ’90; një student i rrahur në protesta, një ushtar i vrarë pabesisht ndërsa mbante uniformën e ushtrisë jugosllave, dhe breza të tërë që e kaluan jetën me sakrifica duke besuar se një ditë shqiptarët do të kishin shtetin e tyre demokratik. Të luash me rendin kushtetues për një avantazh elektoral nuk është thjesht cinizëm politik, por papërgjegjshmëri e patolerueshme ndaj gjithë asaj historie. Sepse fitorja në zgjedhje të jep të drejtën ta qeverisësh Republikën, por kurrsesi nuk të jep pronësinë mbi të.
