Kurti: Dosjet e Brigadës 37 të hapen në vitin 2026, jo në 2044
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se ka nisur faza e identifikimit të eshtrave të gjetura në zonën e Zubin Potokut. Ai i ka bërë thirrje Serbisë të hapë arkivat shtetërore, të cilat mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës.
“Jemi futur në një fazë tjetër, atë të identifikimit, pasi janë marrë dhe dërguar për analiza të ADN-së mostrat e eshtrave, që dyshohet se u përkasin katër personave të gjetur në fshatin Jabukë. Për të tjerët, procesi paraprak i ekzaminimeve vazhdon në Institutin e Mjekësisë Ligjore,” citohet Kurti.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, javën e kaluar, prezantuan një sasi të madhe armatimi të gjetur në afërsi të këtyre vendeve. Armët janë dërguar për ekzaminim, me qëllim identifikimin e lidhjes së tyre me krimet dhe masakrat në zonë. Kurti theksoi se numri 23 i eshtrave të gjetura korrespondon me atë që njihet si “grupi i intelektualëve”, të cilët më 19 prill 1999 u ndaluan, u rrëmbyen dhe u ekzekutuan nga forcat serbe, të cilat u përpoqën të fshehin gjurmët e këtij krimi gjenocidal.
“Procesi i identifikimit në tërësi mund të zgjasë edhe disa muaj. Vetëm atëherë do të mund të flasim me saktësi të plotë se për kë bëhet fjalë dhe bashkë me familjet t’u japim një lamtumirë dinjitoze dhe një varr me emër e mbiemër,” tha kryeministri.
Kryeministri Kurti përshkroi si “të papërshkrueshme dhe të dhimbshme” pritjen e gjatë dhe ankthin e familjarëve të të zhdukurve. Ai theksoi se qindra familje kërkojnë zbardhjen e fatit dhe drejtësi. Kurti akuzoi Serbinë se refuzon të hapë arkivat, duke penguar kështu zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë.
“Serbia po mohon të vërtetën dhe po i shmanget përgjegjësisë duke fshehur dhe mos pranuar krimet, si dhe duke refuzuar hapjen e arkivave, të cilat i ka klasifikuar. Për më tepër, Serbia arreston dhe përndjek edhe ata pak serbë që kanë guxuar të dëshmojnë para institucioneve ndërkombëtare,” pohoi Kurti. Ai bëri thirrje që faktorët ndërkombëtarë të rrisin trysninë ndaj Serbisë, duke kërkuar zbatimin e deklaratës së Brukselit të 2 majit 2023 për personat e zhdukur me dhunë, e cila parashikon hapjen e arkivave shtetërore.
“Më duhet të përsëris thirrjen për hapjen e arkivit të Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave, e cila kreu masakra veçanërisht në Drenicë dhe në të gjithë Kosovën,” tha Kurti. Ai shtoi se dosja e kësaj brigade u klasifikua para 12 vjetësh për një periudhë 30-vjeçare, që do të thotë se mbetet e mbyllur edhe për 18 vjet të tjera. “Familjet që kanë pritur 27 apo 28 vjet nuk mund të dënohen me pritje, ankth e dhimbje edhe për 18 vjet të tjera. Ndaj, trysnia ndërkombëtare është jetike. Dosjet e arkivuara dhe të klasifikuara të Brigadës së Motorizuar 37 duhet të hapen tash nga shteti i Serbisë, pra sivjet në vitin 2026 e jo në vitin 2044,” përfundoi kryeministri.
Agron Limani, kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur gjatë luftës, theksoi se gjetjet e fundit në Zubin Potok janë rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të institucioneve të Kosovës. “Këto nuk janë përpjekjet e para dhe të fundit në këtë zonë. Kërkime të tjera për varreza, qofshin individuale, kolektive apo masive, janë bërë që nga fillimi i këtij viti, si dhe në vitet e kaluara, por shpesh pa gjetje konkrete,” shpjegoi Limani. Ai shtoi se falë përkushtimit të institucioneve, veçanërisht të njësisë policore për hulumtimin e personave të zhdukur, përpjekjet e muajit gusht kanë sjellë gjetje konkrete.
“Kemi pasur fat, fat në fatkeqësi, pasi kemi zbuluar tri varre masive falë rrethanave dhe atyre që kanë shpjeguar situatën e zhdukjes së këtyre njerëzve,” tha ai. Varri i parë masiv në Kalludër përmbante eshtrat e 13 personave, të dërguara në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Varri i dytë kishte katër eshtra, ndërsa varri i tretë në Kalludër rezultoi me gjetjen e gjashtë eshtrave. “Deri më tani janë identifikuar 23 persona dhe procesi i zhvarrimit ka përfunduar me sukses,” deklaroi Limani.
Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur, sqaroi se tri lokacionet e varreve masive në veri-lindje të Kosovës, më saktë në fshatrat Dret, Kalludër, Jabukë dhe Crepuljë të komunës së Zubin Potokut, janë afërsisht 300 metra larg njëra-tjetrës në vijë ajrore, ndërsa nga Jabuka rreth 1 kilometër.
“Kemi tri varre masive të konfirmuara, me një numër minimal prej së paku 20 personash të zhvarrosur. Kemi punuar në terren për së paku katër javë,” theksoi Gara. Ai shtoi se puna hetimore, operative dhe e inteligjencës është intensifikuar në zonën e Zubin Potokut. Fokusi është në rastet e zhdukjeve me forcë nga kjo zonë, duke përfshirë “grupin e intelektualëve” prej 23 personash, kryesisht nga Mitrovica dhe Skenderaj, të cilët u rrëmbyen dhe u zhdukën më 19 prill 1999 nga forcat ushtarake të ish-Ushtrisë Jugosllave, mes fshatrave Dret, Kalludër dhe Jabukë. Gara përmendi edhe rastin e familjes Isufi, katër anëtarët e së cilës u rrëmbyen dhe u zhdukën më 20 prill 1999 në fshatin Jabukë.
“Gjetjet në terren dhe të dhënat e tanishme na orientojnë drejt rastit të zhdukjes së grupit të intelektualëve. Identifikimi individual përmes analizës së ADN-së do ta përcaktojë këtë në fazat e mëtejshme,” tha Gara. Ai theksoi se puna intensive hetimore e Sektorit për Personat e Zhdukur, së bashku me njësitë e tjera policore, ka mundësuar trajtimin e informacioneve që çuan në zbulimin e lokacionit në Kalludër, veçanërisht gjatë tre muajve të fundit.
