Alba Fazlija, nga Prishtina, është zgjedhur Miss Grand Kosovo 2026, ndërsa aktualisht ndodhet në Tajlandë, ku po merr pjesë në Miss Grand International 2026.
Në një intervistë me shkrim për Prive By Liberta Spahiu, Alba ka rrëfyer më shumë për rrugëtimin e saj, ambiciet dhe planet që ka për të ardhmen.
Ajo tregon se rrugëtimi në modeling dhe pageantry ka nisur shumë herët për të, që në moshën 13-vjeçare. Me kalimin e viteve, kjo fushë është bërë një pjesë e rëndësishme e jetës së saj dhe një mënyrë për të shprehur veten.
“Modelingun dhe pageantry i shoh si një mënyrë për të shprehur veten, personalitetin dhe ambicien time”, ka thënë Alba.
Një tjetër etapë e rëndësishme për të ishte viti 2025, kur mori pjesë në Miss Universe Kosovo dhe u rendit si First Runner-Up.
Ajo e cilëson këtë eksperiencë si një moment që i dha më shumë siguri në vete, por edhe motivim për të vazhduar rrugëtimin e saj në këtë drejtim.
Sot, një vit më vonë, Alba e gjen veten me një tjetër titull të rëndësishëm. Si Miss Grand Kosovo 2026, ajo po përjeton një eksperiencë të re në Tajlandë, ku po e përfaqëson Kosovën në një skenë ndërkombëtare.
Për Albën, pjesëmarrja në këtë kompeticion është një mundësi e veçantë, jo vetëm për aspektin e garës, por edhe për të përjetuar një eksperiencë të re dhe për të përfaqësuar vendin e saj.
“Jam shumë e lumtur që po e përfaqësoj Kosovën në një skenë ndërkombëtare”, është shprehur ajo.
Duke folur për veten, Alba e përshkruan veten si një vajzë shumë ambicioze, e cila gjithmonë ka pasur dëshirë të ndërtojë diçka të madhe për veten.
Dhe duket se për të, kurora është vetëm një pikënisje. Alba nuk dëshiron që karriera e saj të ndalet te pageantry, por synon të vazhdojë edhe në modeling, fashion dhe media.
Ajo ka në plan të jetë pjesë edhe e projekteve ndërkombëtare, duke e parë këtë rrugëtim si një mundësi për të zgjeruar më tej eksperiencën dhe karrierën e saj.
Tash për tash, fokusi i saj është Tajlanda dhe eksperienca e Miss Grand International 2026, ku Alba po përfaqëson Kosovën dhe po vazhdon një rrugëtim që nisi shumë vite më parë, kur ishte vetëm 13 vjeçe.
