**Lautaro Martinez: Goli i ëndrrave kundër Anglisë**
Goli që dërgoi Argjentinën në finalen e Botërorit, pas fitores ndaj Anglisë, mban vulën e Lautaro Martinez. Sulmuesi i Interit vulosi rezultatin 2-1 për skuadrën Albiceleste, duke shkaktuar një emocion të papërmbajtshëm te vetë ai.
“Është goli që ëndërroja që kur babai im më dhuroi këpucët e para të futbollit,” – rrëfen Martinez për të përditshmen “La Repubblica”. Më pas, ai shton me një dozë ironie: “Do të tentoj të mos qaj prapë, kam qarë mjaft.”
Pavarësisht se nuk ka qenë gjithnjë titullar gjatë këtij Botërori, Lautaro ka ditur të menaxhojë frustrimin me profesionalizëm.
“Sigurisht që nuk jam i kënaqur, sepse dua gjithnjë të luaj. Kur jam te Interi, nëse jam jashtë fushe, zemërohem. Por në fund të fundit, 11 lojtarë hyjnë nga fillimi dhe 5 më vonë, prandaj duhet vetëm të mendosh të japësh gjithçka,” – vijoi Martinez. Ai theksoi gjithashtu se suksesi kolektiv bazohet te sakrifica dhe se ai ka mësuar shumë duke vëzhguar Lionel Messin.
Goli kundër anglezëve erdhi pas një parandjenje.
“E pashë në ëndërr, ju betohem,” – shprehet Lautaro, për të cilin ky moment përfaqëson edhe një rilindje personale pas vitesh të tëra dyshimesh. “Kam kaluar periudha kur jam lënë jashtë; nuk ishin të shumtë ata që kishin besim te unë, por unë kam qenë gjithnjë i bindur se ajo rrugë të sjell këtu.”
Tani, sulmuesi i Interit e shikon të ardhmen me më shumë vetëdije.
“I kam bërë vetes pyetje, po,” – pranon ai. “Por ndeshje të caktuara të çlirojnë mendjen dhe të bëjnë të kuptosh shumë. Çdo argjentinas do të donte ta shënonte atë gol, dhe e shënova unë,” – përfundoi Martinez.
