Messi i përgjigjet kritikëve: Askush nuk na ka dhënë asgjë falas!

Lionel Messi ka reaguar ashpër ndaj zërave që pretendojnë se Argjentina ka përfituar favorizime gjatë rrugëtimit drejt finales së Kupës së Botës. Ylli argjentinas theksoi se suksesi i kombëtares është fryt i punës së palodhur dhe sakrificës së të gjithë ekipit.

Kapiteni i Argjentinës, pas kualifikimit historik në finalen e Kupës së Botës, shprehu krenarinë e tij për arritjen e skuadrës, duke theksuar se askush nuk ua ka falur fitoren apo suksesin.

“Është e pabesueshme ajo që kemi arritur. Edhe një finale e Kupës së Botës… Kjo mund të acarojë disa njerëz dhe ata mund të thonë çfarë të duan. Ky grup ka dëshmuar se askush nuk na ka dhënë asgjë falas,” u shpreh Messi.

Messi vlerësoi gjithashtu performancën e Argjentinës në gjysmëfinale, duke theksuar karakterin dhe forcën që tregoi ekipi edhe në momentet më të vështira të ndeshjes.

Më tej, ai shtoi: “Ne garojmë, luftojmë dhe, njëkohësisht, luajmë futboll të bukur. Shikoni si luajtëm sot, e dominuam Kroacinë edhe kur ishim në disavantazh. Jam thellësisht krenar dhe i lumtur që po i bëjmë të lumtur të gjithë argjentinasit.”

Argjentina do të përballet me Francën në finalen e Kupës së Botës, ndërsa Messi do të ketë mundësinë ta kurorëzojë karrierën e tij në Botëror me trofeun e parë dhe të shumëpritur.