Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci, deklaroi se diskutimet për postin e presidentit do të intensifikohen pas certifikimit të rezultateve zgjedhore. Ajo theksoi rëndësinë e përgjegjësisë nga të gjithë deputetët për të gjetur një kandidat konsensual dhe jopartiak, pavarësisht kërkesës së LDK-së që pozita e presidentit t’i takojë kësaj partie.
Nagavci u shpreh se pritjet janë për një kandidat jopartiak, i cili do të shërbejë si figurë unifikuese dhe do të gëzojë besimin e publikut nëpërmjet kompetencës dhe përgjegjësisë. Ajo bëri thirrje që deputetët e zgjedhur të sigurojnë kuorumin e nevojshëm prej 80 votash për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Duke iu referuar përpjekjeve të mëparshme për zgjedhjen e presidentit, Nagavci kujtoi se LVV-ja, edhe para zgjedhjeve të fundit, kishte bërë thirrje partive opozitare, përfshirë LDK-në dhe PDK-në, të propozojnë emra konkretë. Ajo theksoi gatishmërinë e LVV-së për të dhënë nënshkrimet e nevojshme, për të bashkëqeverisur me LDK-në dhe për të lëshuar postin e kryetares së Kuvendit, me synim shmangien e zgjedhjeve të reja dhe funksionalizimin e institucioneve.
Megjithatë, përpjekjet dështuan për shkak të mungesës së gatishmërisë nga deputetët e partive të tjera, çka çoi në zgjedhje të reja ku LVV-ja u rikonfirmua si subjekti më i madh politik. “Besoj që deputetët do të respektojnë vullnetin e qytetarëve dhe do të angazhohen maksimalisht, sepse kemi humbur shumë kohë dhe shumë ligje, marrëveshje ndërkombëtare e projekte presin të shqyrtohen me prioritet,” theksoi Nagavci.
Ajo iu shmang komenteve për emra të veçantë kandidatësh, përfshirë Ramush Haradinajn, duke theksuar se procesi duhet të përqendrohet te interesi institucional dhe jo te ambiciet personale. Nagavci e cilësoi absurde kërkesën për mbështetje nga Kryeministri Kurti nga individë që më parë kanë shpifur ndaj tij. “Koha është që të mendojmë për institucionet, të mendojmë se si dalim prej këtij ngërçi politik dhe të lëmë mënjanë ambiciet dhe interesat personale,” shtoi ajo, duke shprehur besimin se Kosova ka mjaft burra e gra me integritet të lartë, personal dhe profesional, të cilët mund ta ushtrojnë denjësisht pozitën e presidentit.
