**Ministria e Mbrojtjes: Kosova nuk ftohet në Samitin e NATO-s, nuk është anëtare e Aleancës**

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka konfirmuar se vendi nuk është ftuar të marrë pjesë në Samitin e ardhshëm të NATO-s, i cili do të mbahet në Turqi. Arsyeja është se Kosova nuk është ende shtet anëtar i Aleancës Veriatlantike.

Ky sqarim vjen pas raportimeve të mediave mbi mungesën e një ftese, duke theksuar se kjo është një praktikë e vazhdueshme. Ministria ka bërë të ditur se Kosova nuk ka marrë asnjëherë ftesë zyrtare për pjesëmarrje si shtet i plotë në samitet e mëparshme të NATO-s.

Në një përgjigje për Ekonomia Online, Ministria e Mbrojtjes sqaroi se Republika e Kosovës nuk është anëtare e NATO-s dhe as pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe (Partnership for Peace – PfP), gjë që e përjashton nga pjesëmarrja në samite si shtet anëtar.

Sipas Ministrisë, në të kaluarën, Kosova nuk ka marrë ftesë për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s si shtet pjesëmarrës i Aleancës. Përjashtim kanë qenë vetëm ftesat për aktivitete të veçanta, të organizuara në margjinat e samiteve. Si shembull u përmend aktiviteti “Gratë, Paqja dhe Siguria” (Women, Peace and Security), i organizuar nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së gjatë Samitit të NATO-s vitin e kaluar.

Ministria thekson se samitet e NATO-s janë takime të krerëve të shteteve dhe qeverive të 32 vendeve anëtare, si dhe të partnerëve të ftuar për raste të veçanta. Për këtë arsye, Republika e Kosovës nuk ka marrë pjesë asnjëherë në një Samit të NATO-s si shtet pjesëmarrës, për shkak se nuk është ende shtet anëtar i Aleancës.

Megjithatë, Republika e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në NATO. Ajo do të vazhdojë të avancojë reformat, të përmbushë standardet e nevojshme dhe të forcojë bashkëpunimin me Aleancën dhe shtetet anëtare, sipas përgjigjes së Ministrisë së Mbrojtjes.