Një 32-vjeçar është arrestuar në Kavajë pasi u kap duke lëvizur i armatosur me një pistoletë pa leje. Ngjarja ndodhi në lagjen numër 2 të qytetit.

Sipas njoftimit të Policisë, shtetasi me inicialet F. Rr., 32 vjeç, banues në Kavajë, u lokalizua dhe u ndalua ndërsa lëvizte në këmbë. Gjatë kontrollit, shërbimet policore i gjetën dhe i sekuestruan një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, të cilën ai e posedonte në mënyrë të paligjshme.

Operacioni policor, i koduar “Fast”, u realizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës. Ky operacion erdhi pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, në kuadër të punës për identifikimin dhe kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri pa leje.

Pas veprimeve procedurale, 32-vjeçari u arrestua në flagrancë. Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore. Lajmi u bë i ditur nga Policia, ndërsa u përcjell nga A2 CNN.