Lirim Greiçevci, pjesë e ekipit mbrojtës të Hashim Thaçit në Hagë, ka postuar një status ku ka përcjellë mesazhin e ish-presidentit për qytetarët e Kosovës.
Ai ka bërë të ditur se ka pasur mundësinë të komunikojë drejtpërdrejt me Thaçin, duke e uruar personalisht për ditëlindje dhe duke e informuar për mijëra urimet e qytetarëve që janë shpërndarë në rrjetet sociale, transmeton IndeksOnline.
Sipas Greiçevcit, shumë qytetarë kanë shprehur dëshirën që kjo të jetë ditëlindja e fundit e Thaçit në ambientet e paraburgimit në Hagë.
Në status thuhet se Thaçi është shumë mirënjohës ndaj secilit qytetar të Kosovës për mbështetjen e treguar gjatë viteve të fundit dhe mezi pret t’i falënderojë personalisht për përkrahjen.
Postimi është shoqëruar edhe me një fotografi nga viti 2017, kur Hashim Thaçit iu bë pritje me nderime ushtarake në akademinë britanike “Sandhurst”, në ditëlindjen e tij të 24 prillit./IndeksOnline/
