Edmir Sejdiu, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit për Reformën në Administratën Publike në Ministrinë e Administratës Publike dhe Drejtësisë (MAPD), ka deklaruar se Kosova ka arritur performancën më të mirë në pesë nga gjashtë fushat kryesore të administratës publike. Këtë deklaratë Sejdiu e bëri gjatë emisionit “Tempus” në T7.
Ai sqaroi se ndërsa në raporte të caktuara vlerësuese për vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova renditet e fundit në disa fusha, siç është rendi dhe sundimi i ligjit (pas fazës së aplikimit), një vlerësim i përgjithshëm pa ndarje sipas fushave mund të krijojë një përshtypje të gabuar.
“Nëse bëhet një përmbledhje pa bërë një ndarje të fushave, do të dukej sikur Kosova është keq në secilën prej tyre”, theksoi Sejdiu, duke sqaruar kështu nevojën për analizë të detajuar.
Sejdiu theksoi se progresi në reformën e administratës publike vlerësohet nga një mekanizëm ndërkombëtar kredibil, SIGMA OECD, i cili realizon matje të vazhdueshme për vendet e rajonit.
Sipas Sejdiut, në vlerësimin e fundit të bërë në vitin 2024, Kosova ka arritur të ketë performancën më të mirë në pesë nga gjashtë fushat kryesore të administratës publike, në krahasim me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ai shtoi se në vitin 2021, Kosova kishte marrë vlerësimin më të ulët deri atëherë në këtë fushë, duke u renditur e fundit me 2.4 pikë. Megjithatë, nga viti 2021 deri në vitin 2024, falë reformave të ndërmarra, është shënuar një rritje e konsiderueshme.
“Konkretisht, në fushat si përmirësimi dhe planifikimi i politikave, qeverisja në shumë nivele, transparenca dhe llogaridhënia institucionale, menaxhimi i financave publike, si dhe kontrolli i brendshëm dhe auditimi, Kosova ka shënuar rezultate nga 60 deri në 80 pikë nga 100 të mundshme, duke lënë pas të gjitha shtetet e tjera”, përfundoi Sejdiu.
