Manaj: Sulmet ndaj faqeve të LDK-së, tentativë për deformimin e procesit zgjedhor

Shkëmb Manaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka bërë të ditur se për herë të dytë i janë drejtuar Njësisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike të Policisë së Kosovës. Qëllimi i drejtimit është ndërmarrja e veprimeve hetimore për ndërhyrjet në faqen e kryetarit të LDK-së dhe në ato të zyrtarëve të tjerë të partisë.

Manaj theksoi se këto sulme cenojnë integritetin e procesit zgjedhor.

“Këto sulme e cenojnë integritetin e procesit zgjedhor, sepse kanë për qëllim manipulimin e komunikimit publik, deformimin e perceptimit publik, si dhe cenimin e sigurisë dhe të integritetit institucional,” tha Manaj.

Ai bëri thirrje Policisë dhe Prokurorisë që të marrin masa të menjëhershme për të parandaluar sulmet e koordinuara në komunikimin digjital publik.