Marina Gjermane dislokon anije drejt Hormuzit, në pritje të një misioni të mundshëm
Marina gjermane ka dërguar dy anije në Detin e Kuq, në përgatitje të një misioni të mundshëm në Ngushticën e Hormuzit. Anija çminuese “Fulda” dhe anija furnizuese “Mosel” kanë kaluar Kanalin e Suezit dhe po drejtohen drejt portit të Xhibutit, ku pritet të stacionohen. Në bordin e tyre ndodhen rreth 140 ushtarë.
Ky zhvillim vjen pas deklaratave të mëhershme të Kancelarit gjerman Friedrich Merz, i cili përshëndeti nënshkrimin e marrëveshjes SHBA-Iran dhe armëpushimin, si dhe garantimin e kalimit të sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit. Merz theksoi gatishmërinë e Gjermanisë për të ndihmuar, duke ofruar anije për pastrimin e minave detare dhe sigurimin e lirisë së lundrimit. Megjithatë, ai shtoi se çdo mision i tillë ushtarak do të kërkonte një mandat ose bazë ligjore nga Bundestagu, çështje që do të diskutohej gjerësisht.
Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, sqaroi në kuadër të një takimi të NATO-s në Bruksel, se dërgimi aktual i anijeve nuk kërkon mandat nga Bundestagu. Sipas tij, ky veprim është pjesë e kontributit gjerman në misionin detar “Aspides” të Bashkimit Evropian. Pistorius theksoi se Gjermania dëshiron të reagojë shpejt nëse lind nevoja, ndonëse ende është e paqartë nëse do të ketë vërtet një mision të plotë çminimi, pasi shumë varen nga ecuria e mëtejshme e bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit. Anijet do të mbështeten nga sisteme çminimi, zhytës dhe forca mbrojtëse.
Edhe kryeministri i Luksemburgut, Luc Frieden, përshëndeti “çdo marrëveshje që çon drejt paqes”, duke theksuar rëndësinë e Ngushticës së Hormuzit për stabilitetin global dhe gatishmërinë e vendit të tij për të ndihmuar.
