**”Marrëveshja ka qenë, do të zbulohet shumë shpejt” | Agim Bahtiri kushtëzon votën për Specialen me zgjedhjen e presidentit**

Deputeti Agim Bahtiri, pas arritjes në Kuvendin e Kosovës, deklaroi për Indeksonline se është i gatshëm ta votojë ligjin për Dhomat e Specializuara, por vetëm nëse paraprakisht zgjidhet presidenti i vendit.

Bahtiri theksoi se qëndrimi i tij dhe i partisë së tij ka qenë që zgjedhja e presidentit të bëhet ndërmjet dy leximeve të ligjit.

“Kemi qenë gjithmonë në favor të asaj që është e mirë për këtë vend. Vendi ka nevojë për president dhe institucione funksionale, dhe synojmë të punojmë në interes të të gjithë qytetarëve. Marrëveshja ka qenë që zgjedhja e presidentit të realizohet mes dy leximeve të ligjit. Pikërisht këtu po ngec puna. Jemi të gatshëm, e them me përgjegjësi të plotë dhe garanci 100 për qind, se nëse zgjidhet presidenti, ligji do të marrë votën tonë”, deklaroi Bahtiri.

I pyetur për emrin e kandidatit për president, Bahtiri bëri të ditur se janë në kontakt dhe se marrëveshja pritet të bëhet publike së shpejti.

“Ne jemi në kontakt dhe po bisedojmë; marrëveshja ka qenë dhe do të zbulohet shumë shpejt”, përfundoi ai.