**Gabriel Martinelli Drejt Al Hilal, Arsenali Pranon Mbi 65 Milionë Euro**
Gabriel Martinelli është shumë pranë largimit nga Arsenali dhe transferimit te klubi saudit Al Hilal. Sulmuesi brazilian pritet të ndjekë shembullin e shumë yjeve të tjerë, duke iu bashkuar projektit ambicioz të futbollit saudit.
Sipas raportimeve të fundit, agjentët e Martinellit kanë intensifikuar kontaktet me drejtuesit e Al Hilal për të finalizuar kushtet personale të kontratës dhe për të mbyllur përfundimisht marrëveshjen. Ndërkohë, Arsenali ka arritur një marrëveshje verbale me klubin arab për një vlerë transferimi që kalon shifrën e 65 milionë eurove. Klubi londinez është i gatshëm t’i japë dritën jeshile Martinellit për t’iu nënshtruar testeve mjekësore.
Nëse finalizohen edhe detajet e fundit të kontratës personale, Martinelli do të bëhet lojtari i radhës që largohet nga futbolli evropian, veçanërisht nga Premier League, për t’iu bashkuar Al Hilal në Ligën Saudite Pro.
