Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mbajtur testin me shkrim për kandidatët që aplikuan për rekrutimin e 34 prokurorëve të rinj të shtetit. Këta prokurorë do të shërbejnë në prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës, nga të cilat 10 pozita janë të rezervuara për komunitetin serb.
Testi u zhvillua në ambientet e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës. Procesi u organizua mbi parimet e transparencës, integritetit, meritokracisë dhe mundësive të barabarta për të gjithë kandidatët.
Në testin me shkrim morën pjesë 100 kandidatë, prej të cilëve 48 ishin gra dhe 52 burra. Ndër ta, tre kandidatë ishin nga komuniteti serb dhe një nga ai boshnjak.
Procesi u udhëheq nga kryesuesi i Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit, Arian Gashi, së bashku me anëtarët e tjerë të komisionit.
Në njoftimin zyrtar theksohet se hartimi i testit me shkrim u bë në ditën e mbajtjes së tij, në prani të vëzhguesve vendas dhe ndërkombëtarë. Ata vinin nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET. Këta vëzhgues monitoruan gjithë mbarëvajtjen e procesit, një praktikë kjo që garanton integritetin e testimit dhe forcon besueshmërinë në objektivitetin dhe paanshmërinë e procedurës së përzgjedhjes, duke kontribuar në mbikëqyrjen e pavarur dhe transparencën.
Pas përfundimit të testit me shkrim, procesi i rekrutimit do të vazhdojë me fazat e radhës, në përputhje me procedurat dhe kriteret e përcaktuara.
