Zbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së 20-vjeçarit në Korçë: Shkak, ngacmimi i të dashurës
Dëshmia e autorit të dyshuar për vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko në Korçë është zbardhur. Kristjan Sterjo, i arrestuar pas rreth gjashtë orësh arrati, ka treguar para grupit hetimor motivet që çuan në ngjarjen e rëndë.
Sipas dëshmisë së Sterjos, konflikti mes tij dhe viktimës kishte nisur prej disa kohësh për shkak të ngacmimit të të dashurës së tij nga ana e Zukos. Ky pretendim dyshohet të ketë qenë shkaku kryesor i përshkallëzimit të situatës.
Megjithatë, hetuesit po shqyrtojnë edhe pista të tjera, përfshirë përplasje të mëparshme mes dy të rinjve për rivalitet mes tyre, si “kush ishte më i forti i lagjes”. Burimet bëjnë me dije se Sterjo dhe Zuko kishin pasur konflikte verbale dhe ngacmime të vazhdueshme ndaj njëri-tjetrit ditët para ngjarjes, duke çuar në përkeqësimin e marrëdhënies së tyre.
Sipas dëshmisë së Kristjan Sterjos, në ditën kritike ai mori armën dhe ndoqi 20-vjeçarin Johan Zuko, duke e qëlluar pas shpine me një plumb, i cili rezultoi fatal.
Ky konflikt, që dyshohet se kishte nisur për motive të dobëta dhe rivalitet lagjeje, duke u shoqëruar me ngacmime dhe përplasje të vazhdueshme, përfundoi tragjikisht me vrasjen e Zukos. Pas krimit, Kristjan Sterjo u largua nga vendi i ngjarjes, por u arrestua rreth gjashtë orë më vonë nga policia pranë banesës së tij. Ai u pikas ndërsa po lëvizte nga një zonë afër varrezave drejt shtëpisë, moment në të cilin policia ndërhyri për kapjen e tij.
Grupi hetimor vijon punën për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes. Dëshmia e Sterjos dhe provat e mbledhura pritet të ndihmojnë në përcaktimin e saktë të rrethanave dhe motiveve që çuan në krimin e rëndë.
