Ministri Gonxhja: Kemi refuzuar Jennifer Lopez për shkak të kërkesës prej 2 milionë eurosh garanci

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, deklaroi se qeveria shqiptare ka refuzuar zhvillimin e një koncerti në Shqipëri të këngëtares Jennifer Lopez. Arsyeja e refuzimit ishte kërkesa e lartë financiare e artistes, konkretisht një garanci prej 2 milionë eurosh.

“Kemi refuzuar J. Lo pasi kërkonte 2 milionë euro garanci në rast protestash. Nëse do të kishte protesta, ajo donte garanci dhe ne nuk e pranuam këtë kusht,” citohet të ketë thënë Gonxhja. Këto deklarata u bënë nga ministri në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, ku po diskutohej Akti Normativ i Qeverisë për dhënien e një financimi prej 4.2 milionë eurosh për organizimin e koncertit të Kanye West.

Gonxhja mbrojti vendimin e qeverisë për financimin e koncertit të Kanye West, duke argumentuar se, sipas një vlerësimi paraprak, ky event ka gjeneruar të paktën 6.5 milionë euro të ardhura në arkat e shtetit.