Ministria e Punëve të Brendshme ka hapur procedurën e prokurimit për furnizimin me 5,550 patentë-shoferë ndërkombëtarë, dokumente që u mundësojnë qytetarëve të drejtojnë automjete edhe jashtë vendit, në shtetet që i njohin ato, shkruan IndeksOnline.
Sipas njoftimit për kontratë, tenderi ka të bëjë me furnizimin e këtij kontingjenti të patentë-shoferëve ndërkombëtarë, ndërsa kompanitë e interesuara mund të aplikojnë duke përmbushur kriteret ligjore të përcaktuara për pjesëmarrje.

Ministria ka bërë të ditur se operatorët ekonomikë duhet të dëshmojnë përshtatshmërinë e tyre në përputhje me nenin 65 të Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, si dhe ndryshimet dhe plotësimet përkatëse të këtij ligji.
Pritet që pas përfundimit të procedurës së tenderimit, MPB të sigurojë stokun e nevojshëm të patentë-shoferëve ndërkombëtarë për qytetarët që kanë nevojë për këtë dokument gjatë udhëtimeve jashtë Kosovës.


