Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka urdhëruar instalimin e muralit të Nënë Terezës në objektin e Ministrisë së Ekonomisë, duke paralajmëruar përballje me ata që do të tentojnë të pengojnë procesin. Rama akuzoi sërish Qeverinë e Kosovës se po bllokon projektet e ligjshme të kryeqytetit, të cilat, sipas tij, janë vendosur nga asamblistët si përfaqësues të qytetarëve.
“Punëtorët e kanë urdhrin për ta instaluar muralin dhe nëse provojnë jashtëligjshëm të na ndalin, atëherë normalisht që do të ballafaqohemi me ta,” deklaroi Rama në një konferencë për media të mbajtur sot në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Kreu i Prishtinës theksoi se ky projekt është ligjor, ka marrë miratimin në Asamblenë Komunale dhe ka kaluar të gjitha fazat ligjore. “Tash po tentohet që në mënyrë joligjore të bllokohet instalimi i këtij murali. Kjo është e papranueshme dhe e patolerueshme,” tha ai. Rama e cilësoi veprimin e qeverisë si “një proces diktatorial” që “bllokon rregullisht projektet e kryeqytetit”. “Kush janë këta njerëz që lëshojnë urdhra kundër vullnetit të popullit, kundër vendimit të asamblesë, të cilët janë përfaqësues të qytetarëve të kryeqytetit, të popullit tonë, e dikush nga lart qenka këtu që po jep urdhër me e ndal këtë projekt të rëndësishëm për kryeqytetin,” theksoi ai.
Ministria e Ekonomisë, nga ana tjetër, reagoi dje duke deklaruar se Komuna e Prishtinës ka dhënë pëlqim “për ndërhyrje në një objekt që nuk është në pronësi dhe as në menaxhim të saj, pa autorizim, konsultim apo njoftim paraprak të ministrive përgjegjëse.”
