Veteranët e UÇK-së nga Prekazi kërkojnë shfuqizimin e Gjykatës Speciale, kritikojnë institucionet

Në kuadër të homazheve në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Prekaz, me rastin e festës së 28 Nëntorit, përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) dhe Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve kanë nderuar të rënët për lirinë e Kosovës.

Me këtë rast, Xhavit Jashari, nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, theksoi rëndësinë e sakrificës së dëshmorëve. Ai kritikoi institucionet e Kosovës për mungesën e veprimeve konkrete lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Jashari u bëri thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të thërrasin një seancë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, të cilën e cilësoi si gjykatë politike.

“Nderojmë të gjithë dëshmorët e të gjitha periudhave pa dallim, pasi të gjithë kanë pasur një qëllim të përbashkët: lirinë e këtij vendi dhe, nëpërmjet lirisë, çlirimin dhe bashkimin e popullit dhe kombit shqiptar,” tha Jashari.

Ai shprehu zhgënjimin që festat kombëtare nuk shënohen si duhet, për arsye se krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë padrejtësisht në Hagë. “Nga ky vend i shenjtë, nga varrezat e dëshmorëve, u them përfaqësuesve të institucioneve që nuk mjafton vetëm të bëjnë deklarata, por duhet të veprojnë sipas detyrave dhe pozicioneve që kanë marrë, sepse kanë përgjegjësi morale, njerëzore dhe kombëtare,” theksoi ai.

Jashari përsëriti thirrjen drejtuar deputetëve të Parlamentit të Republikës së Kosovës që të thirret një seancë sa më shpejt. “Duhet të votohet dhe të shfuqizohet Gjykata Speciale, ajo gjykatë politike që mori një vendim politik, dënoi krerët dhe goditi luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke goditur në shtetësinë e Kosovës. Natyrisht, edhe po të ishte i gjallë Adem Jashari me të gjithë këta bashkëluftëtarë, sigurisht se do të përfundonin atje padrejtësisht,” deklaroi Jashari.

“Shpresojmë që, krahas shfuqizimit të kësaj gjykate, të vazhdojë beteja diplomatike dhe juridike, në mënyrë që sa më shpejt t’i hiqet Kosovës kjo ‘re e zezë’ që i është vendosur padrejtësisht, dhe të marrë fund njëherë e përgjithmonë kjo ‘gjueti’ që gjatë gjithë periudhës pas përfundimit të luftës ka goditur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftëtarët e kësaj lufte të shenjtë,” përfundoi ai.