**Musliu akuzon Kurtin: Synonte arrestimin e Lushtakut për shfaqje para mbështetësve**
Ganimete Musliu, kandidate për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka adresuar akuza të forta ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në lidhje me zhvillimet në Skenderaj pas dislokimit të forcave policore atje.
Në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, Musliu deklaroi se pozicionimi i njësive speciale atë natë në disa pika të qytetit ishte pjesë e një skenari të Kurtit, me qëllim shfaqjen e forcës ndaj Skenderajt dhe Sami Lushtakut.
Ajo theksoi se synimi i Kurtit ishte arrestimi i Lushtakut në atë formë, për ta prezantuar më pas si një triumf para përkrahësve të tij.
“Qëllimi i Kurtit atë ditë ka qenë të arrestojë Sami Lushtakun në mënyrë të jashtëligjshme, të krijojë spektakël, ta nxjerrë para mediave dhe t’ua shpërfaqë mbështetësve të tij me shprehjen ‘ja, unë e arrestova Sami Lushtakun’,” ka deklaruar Musliu.
Musliu shtoi se prania masive e forcave policore në Skenderaj nuk ka asnjë shpjegim tjetër, ndërsa theksoi se shteti i Kosovës ende nuk ka ofruar sqarime për këtë dislokim.
“Shteti i Kosovës nuk e ka sqaruar praninë e forcave policore atë natë, rreth orës 01:00, me armë të gjata dhe maska. Ato kanë qenë të pozicionuara në 10 pika. Edhe pika e rrugës për Vushtrri atë natë ka qenë e bllokuar nga forcat policore,” ka shtuar Musliu.
Ajo paralajmëroi se, posa të themelohet legjislatura e re pas zgjedhjeve të fundit, do të kërkohet krijimi i një komisioni hetimor parlamentar për të zbardhur rrethanat e dërgimit të njësive speciale në Skenderaj atë natë. /Klankosova.tv
