**Mustafa: Kurti po mban peng Kosovën duke bllokuar konstituimin e Kuvendit**
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po mban peng institucionet e Kosovës duke refuzuar konstituimin e Kuvendit.
Në një konferencë për media të mbajtur në hollin e Kuvendit, Mustafa theksoi se PDK-ja nuk do ta lejojë një situatë të tillë.
“Albin Kurti ka marrë peng Kosovën dhe institucionet e saj. Këtë nuk guxojmë dhe nuk do ta lejojmë,” deklaroi Mustafa. Ai shtoi se çdo ditë janë para ndërtesës së Qeverisë për të kërkuar kthimin e kryeministrit në Kuvend dhe konstituimin e tij. Protestat e tyre janë paqësore, me synimin për të përcjellë një mesazh të qartë, pasi, sipas tij, kjo situatë nuk mund të vazhdojë pafundësisht.
Mustafa kërkoi kthimin e Kurtit në Kuvend për të mundësuar funksionimin normal të institucionit. Në të kundërt, ai paralajmëroi se pakënaqësia e qytetarëve dhe durimi i partive opozitare, përfshirë PDK-në, nuk do të jetë i pafund. “Do të përdorim mjetet demokratike për të shtyrë ata njerëz që kanë marrë peng Kosovën, që ta kthejnë atë në binarët kushtetues dhe në binarët e një shteti normal,” tha ai. Deputeti shprehu habinë, duke theksuar se situata ka rrëshqitur në një pikë të paprecedentë, ku “një parti shqiptare e Kosovës të marrë peng institucionet dhe të pengojë funksionimin e shtetit”.
Ai premtoi se PDK do të vazhdojë të jetë aktive “këtu dhe kudo që nevojitet” për të kthyer Kosovën në normalitet. “Do të vazhdojmë me kërkesat tona të vazhdueshme dhe do të jemi sërish këtu pas 48 orësh me të njëjtën kërkesë: kthimin e Kuvendit deputetëve dhe kthimin e institucioneve në shërbim të qytetarëve,” përfundoi Mustafa.
**Çështja e Presidentit**
I pyetur për çështjen e Presidentit dhe një marrëveshje të mundshme mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Mustafa theksoi se ka kohë të mjaftueshme për zgjedhjen e tij pas konstituimit të Kuvendit.
“Diskutimet për Presidentin mund të vazhdojnë edhe pas konstituimit të Kuvendit. Dihet qartë se pas ditës së konstituimit të Kuvendit janë edhe 60 ditë për të zgjedhur Presidentin,” shpjegoi ai. Mustafa hodhi poshtë çdo arsye për të mbajtur peng konstituimin e Kuvendit për shkak të diskutimeve për Presidentin, duke e cilësuar këtë si “një lojë politike dhe strategji për të blerë kohë”.
“Nuk e dimë pse po i nevojitet kjo blerje e kohës, por është e qartë se nuk ka vullnet për t’i dhënë Kosovës institucione në këtë fazë,” u shpreh ai. Mustafa shtoi se taktizime të tilla me negociata që nuk përfundojnë kurrë, nuk mund të justifikojnë bllokadën e institucioneve. “Ne presim që të kthehen në Kuvend, ta konstituojnë Kuvendin dhe pastaj kanë kohën e nevojshme në dispozicion për të vazhduar negociatat për President, nëse me të vërtetë kanë vullnet për t’i dhënë vendit President dhe institucionet,” theksoi ai.
