**Bedri Hamza publikon video me qytetar nga Suhareka: “Na shkoi jeta neve” – thirrje për ndryshim më 7 qershor**

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar një video nga Suhareka, ku shfaqet një bashkëbisedim me një qytetar. Gjatë kësaj bisede, është diskutuar gjendja e rëndë ekonomike dhe zhgënjimi që, sipas Hamzës, po përjetojnë shumë familje kosovare.

Në video, qytetari dëgjohet t’i drejtohet Hamzës me shqetësim, duke theksuar: “Gjashtë palë sy duhet me i pasë… A po e sheh, veç poshtë po shkon Kosova. Na shkoi jeta neve.”

Hamza shprehet se këto fjalë e kanë prekur thellë, pasi, sipas tij, ato pasqyrojnë realitetin e dhimbshëm me të cilin po përballen qytetarët.

“Këto fjalë më prekën shumë, sepse tregojnë dhembjen, lodhjen dhe zhgënjimin që po e përjetojnë sot shumë familje në Kosovë. Nuk guxojmë ta pranojmë këtë gjendje si normale,” ka theksuar Hamza në postimin e tij.

Ai ka ripërsëritur zotimin e tij politik se zgjedhjet e 7 qershorit duhet të shërbejnë si një moment thelbësor ndryshimi për vendin.

“Më 7 qershor, ne do t’i themi STOP krizës. Dhe bashkë, me secilin prej jush, do ta ndryshojmë Kosovën,” ka deklaruar Hamza.