Pas deklaratave të menaxherit Lasse Kruger, i cili pretendoi se Nelson Hysa kishte kërkuar dyfishimin e pagesës në momentin kur marrëveshja për një përballje me Agit Kabayelin ishte pranë finalizimit, ka reaguar vetë boksieri shqiptar.
Hysa i ka mohuar pretendimet se ka refuzuar përballjen, duke këmbëngulur se ka qenë dhe vazhdon të jetë i gatshëm për të hyrë në ring ndaj Kabayelit, shkruan Indeksonline
“Po dëgjoj se thonë që unë s’kam pranuar të ndeshem me të. Kjo nuk është e vërtetë, shqiptarët e mi”, ka deklaruar Hysa, duke iu drejtuar mbështetësve të tij.
Boksieri shqiptar ka sqaruar se, sipas tij, kërkesa e vetme ka qenë respektimi i kushteve për të cilat ishte diskutuar që në fillim të negociatave.
“Unë kam kërkuar vetëm që të mbahen termat dhe ajo që kemi folur që në fillim. Kam qenë gati për ndeshjen dhe jam ende gati”, është shprehur ai.
Hysa ka hedhur gjithashtu akuza të tërthorta lidhur me mënyrën se si, sipas tij, kanë ndryshuar rrethanat gjatë negociatave.
“Por kur mungon guximi për t’u përballur, papritur ndryshon gjithçka… ndryshojnë fjalët, ndryshojnë kushtet dhe pastaj tentohet të krijohet një histori tjetër”, ka thënë Hysa.
Në fund, boksieri ka theksuar se nuk synon të përshkallëzojë debatin, por dëshiron që publiku shqiptar të ketë versionin e tij për situatën.
“Unë nuk dua të shaj askënd dhe as të nxjerr askënd keq. Dua vetëm që ju, shqiptarët e mi, ta dini të vërtetën. Unë jam këtu. Gati për ringun. Faktet flasin vetë”, ka përfunduar Hysa./Indeksonline/
