Pas një periudhe heshtjeje dhe spekulimesh, Elijona ka konfirmuar zyrtarisht se lidhja e saj me Klodin ka përfunduar. Kjo është hera e parë që artistja flet publikisht për ndarjen.

Zërat për një krizë në marrëdhënien e tyre nisën të qarkullonin disa kohë më parë, pasi u vu re se dyshja nuk ndiqte më njëri-tjetrin në rrjetet sociale. Dyshimet u përforcuan më tej kur Elijona fshiu të gjitha fotografitë e përbashkëta që kishte me Klodin.

Këto veprime nxitën menjëherë aludimet e fansave për një ndarje. Megjithatë, deri në këtë moment, asnjëri prej të dyve nuk kishte bërë një deklaratë publike.

Tashmë, Elijona ka vendosur ta thyejë heshtjen, duke konfirmuar vetë lajmin e ndarjes dhe duke kërkuar që ky kapitull i jetës së saj të mos shndërrohet në objekt diskutimesh apo temash lajmesh.

Në një postim në rrjetet sociale, ajo shkruan: “Pasi nuk dua që lidhja ime të jetë temë e lajmeve apo e pyetjeve, por edhe për shkak të korrektësisë ndaj të gjithë atyre që na kanë mbështetur gjatë gjithë kësaj kohe, doja ta bëja publike se unë dhe Klodi tashmë nuk jemi më në lidhje.”

Elijona theksoi se një pjesë e madhe e publikut e ka ndjekur rrugëtimin e saj dhe se gjithmonë është përpjekur të shfaqë respekt, dashuri dhe mirënjohje ndaj mbështetësve të saj.

Duke reflektuar mbi natyrën e marrëdhënieve, Elijona shtoi: “Ndonjëherë dy njerëz zgjedhin të vazhdojnë rrugët e tyre veçmas, edhe kur dikur kanë ndarë shumë bashkë.” Ajo theksoi gjithashtu se ruan respektin për atë që kanë përjetuar bashkë.

Në mbyllje të deklaratës, Elijona bëri të qartë se nuk ka ndërmend të flasë keq për ish-partnerin e saj, duke zgjedhur të ruajë privatësinë dhe dinjitetin e të dy palëve.

Ajo e mbylli mesazhin e saj me fjalë mirënjohjeje: “Ju falënderoj të gjithëve për dashurinë dhe mbështetjen. Unë do të vazhdoj përpara me qetësi, mirënjohje dhe respekt për veten.” /Prive By LS