Gani Geci, i cili ndodhet nën masën e paraburgimit, pritet të intervistohet sot nga Prokuroria në kuadër të një rasti ku dyshohet për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj. Kështu bëjnë të ditur burime të IndeksOnline.

Intervistimin do ta kryejë prokurori Blerim Igrishta.

Kujtojmë se disa ditë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë i caktoi Gani Gecit masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Sipas dosjes së Prokurorisë, rasti lidhet me një postim të Mehmetajt në rrjetin social Facebook, të bërë për deputetin Fatos Geci.

Prokuroria pretendon se Gani Geci e kishte kanosur gazetarin, duke i kërkuar atij të largonte ose të ndryshonte përmbajtjen e postimit.

Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit përshkruhen edhe deklaratat që Geci dyshohet t’ia ketë drejtuar Mehmetajt në ambientet e mediumit ku ky i fundit punon.

Rasti aktualisht është nën hetim nga organet e drejtësisë.