**Rama: Një Bashkim Europian i paplotë është i dobët, thekson rëndësinë e bashkimit**
Para nisjes së punimeve të Samitit të 8-të të Komunitetit Politik Evropian, Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e ecjes përpara me bashkimin e kontinentit. Ai paralajmëroi se “një Bashkim Europian që nuk është i plotë, është më i dobët dhe më i cenueshëm”.
Gjatë fjalës së tij përpara gazetarëve, Rama e cilësoi këtë samit si “një tjetër mundësi për të ndarë ambiciet dhe shqetësimet tona të përbashkëta”, si dhe “një shans i madh për të parë se sa mund të bëjmë së bashku dhe sa e rëndësishme është të ecet përpara me bashkimin e Europës”.
Kryeministri theksoi gjithashtu se, duke pasur parasysh situatën aktuale, NATO-ja duhet të mbështetet më shumë tek ana europiane. Ai shtoi se çështja e anëtarësimit të vendeve të reja në BE nuk lidhet thjesht me “ofrimin e diçkaje” për to, por me “nevojën për të menduar dhe vepruar shpejt”, pasi kjo prek “vetë interesat e Bashkimit Europian”.
Më pas, Kryeministri Rama dhe delegacioni i tij u mikpritën nga Kryeministri i Republikës së Armenisë, Nikol Pashinyan.
