Një viktimë dhe pesë të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në një festë rave në Zvicër
Një person ka humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur gjatë të shtënave me armë zjarri në një festë rave në Aarau, në veri të Zvicrës. Autorët e sulmit mbeten ende të paidentifikuar nga autoritetet.
Të shtëna me armë zjarri u dëgjuan gjatë natës në qytetin zviceran Aarau. Policia Kantonale e Aargaut njoftoi në platformën sociale X se një person ka ndërruar jetë dhe pesë të tjerë janë plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë. Sipas një zëdhënëseje të policisë, e cituar nga gazeta zvicerane “Blick”, vendi i ngjarjes është hipodromi i Schachenit.
**Paqartësi mbi detajet**
Deri më tani, shumë detaje lidhur me incidentin mbeten të paqarta. Të shtënat ndodhën rreth orës 03:00 të mëngjesit, ndërsa në ambientin ku ndodhi ngjarja po zhvillohej një festë rave. Në një video të publikuar nga gazeta, e cila pretendohet të jetë filmuar pranë vendit të ngjarjes, dëgjohen rreth dhjetë të shtëna. Identiteti i personit apo personave që qëlluan me armë zjarri nuk dihet ende.
Policia ndodhet në vendngjarje me një numër të madh forcash dhe u ka bërë thirrje banorëve të shmangin zonën. Ajo u ka kërkuar gjithashtu dëshmitarëve të dërgojnë video dhe fotografi të ngjarjes përmes kanalit zyrtar në Instagram të Policisë Kantonale të Aargaut.
Qyteti Aarau, i vendosur në kantonin zviceran Aargau, ndodhet rreth 40 kilometra në perëndim të Cyrihut dhe ka afro 23.000 banorë.
